Piktori nga Kamenica, Ahmet Ibrahimi, ka hapur një ekspozitë personale në Prishtinë, ku ka paraqitur portrete të figurave kombëtare dhe piktura me motive shqiptare të realizuara në pëlhurë.
Ekspozita, për të cilën, piktori nga Kamenica ka punuar rreth katër vjet, është hapur një ditë para 28 nëntorit, që sivjet shënoi njëqindenjë vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
Portretet e Gjergj Fishtës, Nënës Terezë, Naim Frashërit, Pjetër Bogdanit, Hasan Prishtinës, Naim dhe Sami Frashërit, Ismail Qemajlit, Adem Jasharit, Bajram Currit, Lekë Dukagjinit, Fehmi Lladrovcit, janë vetëm disa prej punimeve të paraqitura në këtë ekspozitë.
Ndërkaq, njëra nga pikturat që ka zgjuar më së shumti interesim tek të pranishmit është ajo që, sipas autorit, paraqet anën e panjohur të rrëfimit për “legjendën” e Rexhës, të cilin, e mbytë kali pak para se të hyjë dhëndër.
Ekspozita është cilësuar si veprim i rëndësishëm, ngase, në këtë formë studentët e Edukimit të paktën për një kohë janë pranë të kaluarës kombëtare të shqiptarëve. I pranishëm në këtë ceremoni, ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka thënë se më mirë ndjehet kur ndodhet në mesin e, siç ka thënë ai, mësuesve të ardhshëm – studentëve të Fakultetit të Edukimit, ndërsa ekspozita e Ibrahimit vetëm se e ka bërë më të veçantë Fakultetin e Edukimit.
Ahmet Ibrahimi, ka thënë për “KultPlus” se ekspozita e tij parqet art të veçantë për shkak të mesazhit që jap një ditë para shënimit të njëqindenjë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Këto piktura janë të një afati kohor diku afër katër vite, edhe janë kryesisht nga historia e popullit tonë, personazhe nga ata më të rëndësishmit si Adem Jashari, Skënderbeu, Idriz Seferi, Bajram Curri, edhe iks personalitete tjera, edhe nga ajo që them, nga trajtimi artistik i golgotës shqiptare, edhe nga lufta, janë punime kryesisht që janë pritur mirë dhe më vjen mirë që janë pritur mirë, duke marrë parasysh se kohën e fundit janë duke iu ikur temave nga motivet kombëtare”, ka thënë ai.
Ibrahimi ka thënë se në këtë formë, përkatësisht, duke sjellë para opinionit portretet e figurave kombëtare dhe pikturat tjera me motive patriotike dhe motive shqiptare, po e kryen një obligim kombëtar që ka ndaj kombit të tij.
Derisa ai fliste, studentë të shumtë shikonin njërën prej punimeve, ku autori ka pikturuar Skënderbeun dhe Adem Jasharin, që pak a shumë e ndajnë një trup, por kanë armë të ndryshme.
“Kam vendosur që ta hapi ekspozitën në Fakultetin e Edukimit ngase një farë mënyre nga këtu buron krejt, këtu po përgatiten ata që gjeneratat e reja do t’i ngritin në nivele tjera”, ka thënë ai.
Autori i cili është magjistër i artit, njherësh ligjërues në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, thotë se të gjitha pikturat i ka punuar në kushte të vështira, ndërsa, shpreson se në një të ardhme jo shumë të largët të njëjtën ekspozitë do ta hap edhe në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. /Jeton Llapashtica - KultPlus
Subscribe to:
Post Comments (Atom)




0 comments:
Post a Comment