Shkruar nga Dr. Hasan Bello
Hyrje
Një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar në kapërcyell të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, krahas klerikëve të besimeve të tjera fetare, pa dyshim që ka luajtur edhe kleri mysliman shqiptar.
Pavarësisht faktit se deri vonë, për arsye ideologjike ka pasur një lloj tendence për t`i vënë në plan të kundërt komponentët “shkollë”, “gjuhë” dhe “identitet kombëtarë” me fjalën “kler”, “klerikë” apo në rastin konkret “hoxhallarë”,[1] e vërteta qëndron ndryshe.
Një numër alfabetesh dhe abetaresh të gjuhës shqipe na rezulton të jenë hartuar pikërisht nga këta personalitete.
Megjithëse ato nuk përbëjnë një numër të madh për nga sasia, përsëri në raport me peshën specifike dhe kohën kur u hartuan dëshmojnë për shkallën e lartë të preukupimit dhe rëndësinë që klerikët myslimanë shqiptar i jepnin zhvillimit dhe mësimit të gjuhës shqipe.
Ky shkrim, më tepër se një vështrim filologjik apo didaktik, ka si objekt evidentimin dhe trajtimin nga këndvështrimi historik të rolit dhe të kontributit të klerit mysliman shqiptar, si hartues i alfabeteve dhe abetareve të gjuhës shqipe.
Që në fundin e viteve 30 të shekullit të kaluar, në një artikull të revistës “Zani i Naltë” pasi theksohej roli i klerit mysliman shqiptar në lëmej të ndryshëm të çështjes kombëtare, kur vinte fjala për shkrimin e gjuhës shqipe shkruhej se: “Ndofta mund të thotë dikush se këta kanë shkrue me alfabet arab! Ani, mjafton që kanë shkruajtur shqip; mjafton që këtij populli i kanë dhanë të kuptojë se edhe gjuha e tyne,-shqipja-mund të shkruhet. Mbasandaj, çfaj kanë këta shkrimtar të moçëm që kanë shkrue në një kohë kur shqipja ska pasë alfabetin e saj, jo skanë asnjë faj këta shkrimtarë; ashtu sikurse skanë faj as ata që kanë shkrue me alfabetin grek e me ndonjë alfabet tjetër”.[2]
***
- I. Alfabeti i gjuhës shqipe i hartuar nga kleriku dhe rilindasi i shquar Hoxhë Hasan Tahsini (1811-1881)
Në historinë e popullit shqiptar emri i Hoxhë Hasan Tahsinit (1811-1881) shpërfaqet, siç shkruante me të drejtë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, si një “trëndafil qiellor”.[3] Personaliteti i kësaj figure është vlerësuar vazhdimisht nga bashkëkohës dhe pasardhës të tij, e megjithatë ende dhe sot e kësaj dite ai vazhdon të mbetet në epiqendër të hulumtimeve dhe studiuesve të ndryshëm.
Në vitin 1857, kur qeveria osmane po përgatitej për hapjen e universitetit të parë, një nga të dy të zgjedhurit e saj për t`u dërguar në Paris, me qëllim për t’u pajisur me dituritë e nevojshme shkencore, ishte Hoxhë Hasan Tahsini. Pas vajtjes atje, brenda një viti ai arriti të fitonte tërë dituritë e nevojshme dhe u regjistrua në fakultetin e shkencave të natyrës. Madje, duke vazhduar studimet në të, ndoqi si i jashtëm studimet edhe në fakultete të tjera. Bashkëkohës të tij, në veprat e tyre, theksojnë se ai përsosi frëngjishten dhe u thellua në fizikë, matematikë, kimi, biologji, filozofi, fiziologji, botanikë, gjeologji, shkencat shoqërore, e sidomos në filozofì, kozmologji e psikologji.[4] Pas kthimit në Stamboll në vitin 1869, ai u emërua si rektor i parë i Universitetit të Stambollit (Darülfünun-u Osmanî),[5] ku për shkaqe subjektive megjithëse qëndroi për një kohë të shkurtër, u afirmua si një nga personalitetet shkencore më të njohura të Perandorisë Osmane.
Hasan Tahsini-sipas Prof.Tomor Osmanit-ka hyrë në historinë e shkrimit të gjuhës shqipe e në veçanti të zgjidhjes së alfabetit të përbashkët të shqipes në dy drejtime kryesore:
- së pari si pjesëmarrës në mbledhjet e ndryshme që u bënë gjatë viteve 1867- 1879 në Stamboll për këtë çështje.
- së dyti, si hartues i një alfabeti të veçantë.[6]
Veprimtaria patriotike dhe arsimore e Hasan Tahsinit kishte rënë në sy edhe të diplomatëve të huaj. Konsulli francez në Janinë, August Dozon, informonte Ministrinë e Jashtme se përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike në Shqipëri ishin Hasan Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi të cilët, po përpiqeshin të përpunonin gjuhën shqipe deri në nivelin e një gjuhe të shkruar dhe të përhapnin gjithashtu arsimin në gjuhën amtare duke i ngritur «barrierë helenizmit».[7]
Lidhur me bazën e alfabetit të gjuhës shqipe, në mbledhjet që u realizuan nga patriotët shqiptar, Hasan Tahsini shfaqi një mendim origjinal. Mendim, i cili, hedh poshtë pretendimet dhe akuzat e bëra deri tani nga historiografia komuniste, sikur gjoja, klerikët myslimanë en bloc dhe në mënyrë kategorike ishin për shkrimin e gjuhës shipe me gërma arabe. Në kujtimet e tij, me titull “Mendime për shkrimin e gjuhës shqipe” rilindasi dhe bashkohaniku i Hasan Tahsinit, Jani Vreto, shkruan se lidhur me ata që mendonin se për shkrimin e gjuhës shqipe ishte me interes të merej si shembull alfabeti arab, ky i fundit iu kundërvu atyre me argumentat e mëposhtme: “Çështja për të cilën diskutojmë ka të bëjë me interesin shpirtëror të të gjithë kombit tonë, domethënë me çështjen se si të shkruhet më lehtë gjuha jonë dhe të përparojë dituria e të çlirohet kombi ynë nga turpi i gjendjes barbare dhe nga të këqijat që rrjedhin prej saj…Gjuha jonë nuk mund të shkruhet me anë të alfabetit arab. Prova e madhe bindëse është fakti se ata, midis shqiptarëve që kanë mësuar gjuhën arabe, kur u shkruajnë fëmijëve të tyre, përdorin greqishten e re, të cilën nuk e dinë mirë, e që e kanë mësuar, vetëm duke u shoqëruar me grekë…Ngandonjëherë kur nuk e dinë greqishten, shkruajnë në gjuhën shqipe, por me shkronjat e alfabetit grek, të cilat i mësojnë me rast nga ata që e dinë greqishten…ndonëse shkronjat e greqishtes nuk mjaftojnë për të paraqitur të gjithë tingujt e gjuhës sonë”.[8] “Ne-shkruante Hasan Tahsini-jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, andaj duhet të mendojmë më vete, si edhe të tjerët”.[9]
Ai ishte i parimit se në shkrimin e gjuhës shqipe duhej të përputhej parimi fonetik me atë morfologjik. Parim i cili gjeti zbatim edhe më vonë në shkrimin e gjuhës shqipe.
Në një artikull të shkruar në gazetën “Basiret”, krahas rëndësisë që i jepte shkrimit të gjuhës shqipe për përhapjen e diturisë dhe zhvillimit të kombit shqiptar, ai, e vinte theksin tek pengesa që kishte sjellë për unitetin e shqiptarëve përdorimi i alfabeteve të ndryshme. “Meqenëse këto lloj gërmash-shkruante ai-nuk i përshtaten gjuhës shqipe dhe disa prej tyre janë të rënda dhe plot të meta, ato në të vërtetë i kanë sjellë një pengesë të madhe realizimit të qëllimit kryesor”.[10] Sipas tij, duhej gjetur një alfabet që jo vetëm të ishte i përshtatshëm për gjuhën shqipe, por që të ishte edhe larg çdo ndikimi politik. “Po të mos krijojmë një alfabet për një gjuhë, që të jetë për këtë shekull i përshtatshëm, i sigurtë, i saktë dhe i mbrojtur nga ndikimet politike, shkronjat në të do të duken si të huaja dhe kështu nuk do të jetë e mundur të përfitojmë atë që dëshirojmë. Sado që janë të vogla si këmba e milingonës, shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe e diturisë. Prandaj, t`i pranosh ato pa treguar kujdes të veçantë është më e dëmshme se të zgjedhësh një armë e, pa e provuar, të luftosh me të”.[11]
Hoxhë Hasan Tahsini njihet edhe si autorë i një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe. Disa studiues janë të mendimit se ky alfabet mund të jetë hartur nga fundi i viteve 60 të shek.XIX,[12] por nuk mungojnë edhe studiues që theksojnë se ai e hartoi alfabetin e tij në vitin 1858.[13] Sidoqoftë, në kohën kur u shkrua, ky alfabet gjeti përhapje pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Me alfabetin e tij të veçantë, Hasan Tahsini, deshi t`i tregonte jo vetëm popullit shqiptar, por edhe opinionit të huaj se shqiptarët siç kanë gjuhën e tyre të lashtë, historinë dhe kulturën, duhet të kenë edhe alfabetin.[14]
II.Abetarja shqip me gërma arabe e Daut Boriçit (1825-1896)
Daut Boriçi lindi në qytetin e Shkodrës më 20 dhjetor 1825, në një familje të vjetër dhe të njohur për traditat e saj patriotike.[15] Më 16 maj 1848, ai u emërua si imam i xhamisë së Draçinit në Shkodër dhe që atëherë do të quhet Molla Dauti. Pasi shërbeu për rreth dy vjet në këtë xhami, në vitin 1850 ai u nis drejt Stambollit për të vijuar studimet në medresenë e njohur Çifte Bash Kurshun (Çifte Baş Kurşun) e themeluar që në kohën e sulltan Mehmet Fatihut II.
Pas kthimit në Shkodër, fillimisht Daut Boriçi e nisi karrierën si mësues në shkollën Ryshdije (Rüştiye Mektebi) që ishte hapur në Pazar të Vjetër në vitin 1858. Shumë shpejt si rezultat i punës dhe kontributit të tij në fushën e arsimit ai fitoi respektin jo vetëm të bashkëqyetetarëve shkodranë, por edhe të autoriteteve më të larta të Ministrisë së Arsimit të Perandorisë Osmane.[16] Jo më kot nga kjo ministri ai u ngarkua edhe si kryeinspektor i arsimit për të gjithë Vilajetin e Shkodrës.
Si klerik i mbrujtur me ndjenja patriotike, Daut Boriçi ishte një nga themeluesit, veprimtar dhe kryetar i degës lokale të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.[17] Por, në kumtesën tonë ne do të përqendrohemi kryesisht në kontributin që ai dha si hartues i abetareve të gjuhës shqipe me alfabet arab. Siç shkruante me të drejtë Ilo Mitkë Qafëzezi që në vitet 30 të shekullit të kaluar:“Përgjithësisht si për të gjitha gjuhët ballkanike të mbetura pas, po ashtu edhe për shqipen tonë del në shesh se shtytjet më të para të letrarizimit të saja i ka dhënë feja”.[18] Prandaj, sipas nesh kjo e shpjegon edhe dukurinë se hartuesit e parë të shkrimeve të gjuhës shqipe kryesisht janë klerikë. Pavarësisht se kujt religjoni i përkasin.
Abetareja e Daut Boriçit e shtypur në Stamboll më 1861 e më pas edhe në vitin 1869, është një abetare shqip-turqisht, me shkronja arabo-turke dhe me krijime origjinale të autorit, pa asnjë shënim në frontespic, pa vit e vend botimi. Me këtë abetare, sipas studiuesve, ai zuri në Veri këndin e trinomit që kishin plotësuar më parë Naumi në Jug dhe Kristoforidhi në kërthizë të Shqipërisë.[19]“Shqiptari me mënyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet”. Këtë deklaronte Daut Boriçi si kredo politike, në librin e tij, më 1869.[20]
Abetareja në fjalë ka gjithsej 37 shkronja, nga të cilat 28 janë të alfabetit arab; 2 i ka marë osmanishtja dhe për të plotësuar nevojat e gjuhës sonë, 7 shkronja Daut Boriçi i hartoi vetë, nga ato fonema që i korrespondonin gjuhës shqipe. Me këtë, ai provoi se shqipja kishte veçoritë e veta, se alfabetet e grafitë e gjuhëve të tjera nuk i plotësonin kërkesat gjuhësore të saj, se nga ana didaktike duheshin hedhur hapa të tjerë, se nga ana pedagogjike duhej përdorur një metodë e re, se nga ana edukative-kombëtare duhej mësuar në gjuhën amtare, etj.
[21] Nga transkiptimi i thuajse i plotë i abetares së parë ajo ka këto veçori: është hartuar sipas metodës sintetike. Pikënisje janë marë njësitë e vogla të gjuhës, tinguj-shkronjat. Kështu teksti fillon me paraqitjen e të gjitha shkronjave të alfabetit të cilat vendosen në të katër kolona ku shkronja është në pozicione të ndryshme: më vete, në fillim, në mes dhe në fund të fjalës.[22] “Porosia e tij drejtuar nxënësve shqiptarë: “…xen me shkrue shqip…” që lexojmë në faqen 32 të abetares, është vazhdim i kredos së tij politike, është plan-programi i punës së tij, është synimi për ta bërë gjuhën shqipe gjuhë mësimi”.[23] Abetareja shqipe e Daut Boriçit e vitit 1861 është e para abetare shqipe që është botuar në Shqipërinë e Veriut.
Ndonëse e botuar me alfabet arabo-turk, ajo ka përmbajtje krejtësisht shqiptare dhe me krijime origjinale të autorit. Kjo dëshmon për një hop në fushën e arsimit fillor kombëtar, me bazë gjuhën shqipe.[24] Botimi i kësaj abetareje më 1861 si tekst i litografuar në Stamboll, me një tirazh të konsiderueshëm, kopjet e të cilit gjenden pas më vonë se një shekulli në disa familje shkodrane dhe në fondet e bibliotekave të tyre, të bindin se në shkollat e trevës së Shkodrës dhe të territoreve që mbulonte Daut Boriçi, si drejtues arsimi i Vilajetit të Shkodrës, është përdorur abetarja e tij.[25]
[21] Nga transkiptimi i thuajse i plotë i abetares së parë ajo ka këto veçori: është hartuar sipas metodës sintetike. Pikënisje janë marë njësitë e vogla të gjuhës, tinguj-shkronjat. Kështu teksti fillon me paraqitjen e të gjitha shkronjave të alfabetit të cilat vendosen në të katër kolona ku shkronja është në pozicione të ndryshme: më vete, në fillim, në mes dhe në fund të fjalës.[22] “Porosia e tij drejtuar nxënësve shqiptarë: “…xen me shkrue shqip…” që lexojmë në faqen 32 të abetares, është vazhdim i kredos së tij politike, është plan-programi i punës së tij, është synimi për ta bërë gjuhën shqipe gjuhë mësimi”.[23] Abetareja shqipe e Daut Boriçit e vitit 1861 është e para abetare shqipe që është botuar në Shqipërinë e Veriut.
Ndonëse e botuar me alfabet arabo-turk, ajo ka përmbajtje krejtësisht shqiptare dhe me krijime origjinale të autorit. Kjo dëshmon për një hop në fushën e arsimit fillor kombëtar, me bazë gjuhën shqipe.[24] Botimi i kësaj abetareje më 1861 si tekst i litografuar në Stamboll, me një tirazh të konsiderueshëm, kopjet e të cilit gjenden pas më vonë se një shekulli në disa familje shkodrane dhe në fondet e bibliotekave të tyre, të bindin se në shkollat e trevës së Shkodrës dhe të territoreve që mbulonte Daut Boriçi, si drejtues arsimi i Vilajetit të Shkodrës, është përdorur abetarja e tij.[25]
Përveç tre abetareve, dy të prej të cilave siç e përmendëm dhe mësipër janë botuar përkatësisht në vitin 1861 dhe 1869, Daut Boriçi është autorë edhe i një “Gramatike shqipe” e cila përmban njohuri të përgjithshme mbi emrin, numrin, gjininë, etj., i një “Fjalori turqisht-shqip”, i një autobiografie dhe i dy ditareve me rëndësi të madhe për historinë e mendimit pedagogjik shqiptar.[26]
III.Abetarja shqip me gërma arabe e Hafiz Ali Ulqinakut (1853-1913)
Hafiz Ali Ulqinaku u lind në vitin 1853 në qytetin e Ulqinit.[27] Në autobiografinë e tij ai tregon se pas përfundimit të mejtepit hyri në medresenë e qytetit, ku vazhdoi mësimet deri në librin Fenari.[28] Kjo qe faza e parë e shkollimit të tij. Në këtë periudhë, e cila, përkon me betejat për mbrojtjen e Ulqinit, ndonëse në moshë fare të re, mori pjesë edhe Hafiz Aliu.[29] Me rënien e Ulqinit nën Malin e Zi, familja e tij sëbashku me qindra familje të tjera ulqinake u shpërngulën në Shkodër si emigrantë, ku gjetën strehim dhe përkrahje dashamirëse për integrim familjar e shoqëror. Këtu, ai nisi edhe fazën e dytë të shkollimit, në medresenë e këtij qyteti. Ku sipas vetë Hafiz Aliut mori edhe diplomën teologjike (Ixhazetnamen) dhe thekson se: “Gjuha e jeme asht shqipja. Shkruej e flas arabisht, turqisht, shqip”. Djali i tij, Saiti, në një parathënie të botimit të “Mevludi Sherifit” figurën e të atit na e përshkruan si mëposhtë: “I ndjeri Hafiz Ali kishte me vedi një shpirt të madh të pajisur me kulturë të naltë teologjike, me natyrë të mprehtë poetike e me ndërgjegjje të kullueme dhe të edukueme sipas parimeve të Islamizmës”.[30]
Në vitin 1882, Hafiz Ali u emërua si mësues i shkollës fillore në lagjen “Dudas”. Ndërsa në vitin 1884, ai u transferua në Lezhë ku fillimisht ushtroi detyrën e mësuesit dhe imamit, e më pas edhe atë të Myftiut të këtij qyteti deri sa ndërroi jetë në vitin 1913.[31]
Veprimtaria e Hafiz Ali Ulqinakut shtrihet në disa fusha kryesore, si në atë të letërsisë, gjuhësisë, përkthimit, arsimit e në atë fetare.[32] Por, në kuadër të tematikës sonë na duhet të theksojmë se kjo figurë i dha një rëndësi të madhe sidomos shkrimit të gjuhës shqipe. Në parathënien e “Mevludi Sherifit”, ai shkruan ndër të tjera me vargje se parimet themelore të fesë islame:
“N`gjuhë të shqipes kam qëllim un me i tregue
Që kështu vllaznit sa do pak me përfitue”.[33]
Kontributi i tij u shtri edhe në hartimin e tre fjalorëve shqip-turqisht me gjithësej 1334 faqe, të cilët mbartin vlera të mëdha leksikologjike, leksikografike, dialektologjike dhe për historinë e gjuhës shqipe.[34] Një rëndësi më vete në këtë kontekst ka sidomos abetareja e Hafiz Aliut. E cila, ndonëse brenda logjikës së kohës është hartuar me alfabet arab, ajo ka vlera të veçanta atdhetare, shkencore, gjuhësore dhe didaktike. Sipas studiuesve të jetës dhe veprës së Hafiz Aliut, të cilët i kanë bërë një analizë të shkëlqyer kësaj abetareje: “Shkrimi i shqipes e aq më tepër përdorimi i saj në shkollë, hartimi i librave shqip dhe i abetareve shqipe tregonte vullnetin e mirë dhe ndërgjegjjen e lartë atdhetare të autorit”.[35] Abetarja në fjalë ka gjithësej 15 fletë dhe 26 faqe. Kjo abetare për shumë vite me radhë mbeti në dorëshkrim në dosjen nr.3 të fondit personal të Hafiz Ali Ulqinakut në Arkivin Qendror të Shtetit[36] deri sa u botua në një studim monografik mbi jetën dhe veprën e tij në vitin 2005.[37]
IV.Abetarja shqip me alfabet latin e Said Najdenit (1864-1903)
Said Najdeni, lindi në qytetin e Dibrës në vitin 1864, në familjen e Islam dhe Esma Najdenit. Ai ka hyrë në fondin e historisë sonë kombëtare si rilindës, patriot, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Arsimin fillor dhe atë plotor Saidi e kreu me sukses në vendlindje në vitin 1882, inteligjenca dhe zgjuarsia që ai kishte bënë që babai i tij ta dërgonte të birin për ta shkolluar fillimisht në Edirne e më pas në Stamboll, ku Saidi përfundoi me sukses studimet e larta teologjike në medresenë e Hajdar Pashës.[38]
Në vitin 1888, pas kryerjes së shkollimit në Stamboll, Saidi i frymëzuar me idealin kombëtar, u kthye në atdhe ku iu përvesh punës në shërbim të arsimit. Për këtë, që përpara se të kthehej ai mori me vete një sasi të madhe abetaresh të Shoqërisë së Stambollit me dëshirën e flaktë që të hapte në vendlindje shkollën e parë shqipe.[39] Dëshirë të cilën ai e realizoi në vitin 1893, por që pas një viti shkolla që ai hapi u mbyll. Kjo e detyroi Said Najdenin të kthehej në Stamboll, rrugës ai arrestohet bashkë me Hamdi Ohrin, një veprimtar tjetër dhe dënohet me 15 muaj burg. Pasi doli nga burgu, me qëllim që të njihej më nga afër me lëvizjen kombëtare ai vizitoi kolonitë shqiptare të Bukureshtit, Sofjes, Italisë, etj. Më 1899 ai mori pjesë si delegat në Kuvendin e Pejës, pas të cilit u burgos përsëri dhe u lirua me kusht që të mos shkonte më në Stamboll. Në vitet e luftës turko-greke kthehet në Dibër, ku duke ditur rrjedhojat e brendshme dhe të jashtme parashikoi shumë qartë përfundimin e kësaj lufte. Hoxhallarëve të Dibrës, ai u shpjegoi rrezikun dhe jua mbushi mendjen se duhej mësuar shqipja me alfabetin e vet, që kështu shqiptarët të zgjoheshin e të bëheshin gati për të mbrojtur interesat kombëtare. Kjo propogandë, zgjoi shumë shokë të tij e hoxhallarë të Dibrës, të cilët filluan ta mësonin dhe ta donin gjuhën amtare.[40]
Në vitin 1900 ai hapi për herë të tretë shkollën shqipe në Dibër. Po në këtë vit në Sofje botoi “Abetare e gjuhesë shqip: nde të folë gegënisht”[41] pa emër autori dhe “Fe-rrëfenjësja e myslimanëve”[42]. Abetareja e Said Najdenit është hartuar me alfabetin e Stambollit, me të vetmin ndryshim se ajo i është përshtatur dialektit gegë, pjesë e së cilës ishte edhe popullsia e kësaj krahine. Alfabeti ka 36 shkronja të vendosur vertikalisht e horizontalisht bashkëngjitur me alfabetin e gjuhës frënge dhe greke. Në abetare janë vendosur ushtrime gramatikore si dhe pjesëza leximi në dialektin e Dibrës, Shkodrës, Tiranës, Elbasanit dhe në dialektin tosk. Said Najdeni i përket atij grupi klerikësh që mendonte se alfabeti më i përshtatshëm për shkrimin e gjuhës shqipe ishte alfabeti latin.
Si përfundim, për këtë figurë po perifrazojmë një thënie të Prof.Mahmud Hysës i cili shkruan se: “Saidi jetoi në kohën e Rilindjes, mendoi si rilindasit, veproi si rilindas, shkroi si rilindas dhe vdiq si rilindas”.
V.Abetarja shqip me alfabet latin e Hafiz Ali Korçës (1874-1957)
Për personalitetin e Hafiz Ali Korçës është shkruar[43] dhe vazhdon të shkruhet çdo ditë e më shumë, jeta dhe veprimtaria e kësaj figure është bërë objekt studimesh dhe disertacionesh,[44]konferencash dhe seminaresh[45]. Hafiz Aliu është një nga fytyrat më të shquara të patriotëve shqiptar. Ai është një nga fetaro-letrarët tanë më të mëdhenj.[46] Vepra e tij letrare, publicistike dhe didaktike e botuar që në kohën kur ai ishte gjallë i kalon 6.733faqe.[47] Pa folur pastaj për shumë dorëshkrime të cilat ende dhe sot e kësaj dite gjenden nëpër bibliotekat private apo muzetë e ndryshëm të Shqipërisë.[48]
Në Kongresin e Dibrës të vitit 1909, në të cilin morën pjesë 115 burra nga më të zgjedhurit, më fisnikët dhe më patriotët e Shqipërisë ishte Hafiz Aliu ai që propozoi për të parën herë problemin e mësimit të gjuhës shqipe, përmirësimin e modernizimin e medreseve dhe shumë çështje të tjera të rëndësishme. Fjala e tij u dëgjua me vëmendje të madhe dhe me nderim prej të gjithëve dhe kongresi vendosi të bëjë demarshet e duhura pranë qeverisë osmane që gjuha shqipe të ishte e detyrueshme për t`u mësuar zyrtarisht nëpër të gjitha shkollat e Shqipërisë.[49]
Si erudit i njohur, poliglot, mësues i “Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës” dhe si përfaqësues i nacionalizmit shqiptar, Hafiz Ali Korça, ishte në korent të të gjitha zhvillimeve që kishin të bënin me lëvizjen kombëtare. Kjo, duket edhe në përmbajtjen e abetares së gjuhës shqipe me alfabet latin që ai botoi në vitin 1910.[50] Në këtë tekst autori përdori dy alfabete: alfabetin e Stambollit, variantin e vitit 1884 dhe alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit të vitit 1908.[51] Çka tregon se autori ishte në koherencë me evoluimin dhe të rejat më të fundit në fushën e shkrimit të gjuhës shqipe.
Hafiz Ali Korça abetaren e tij e ka ndërtuar sipas metodës fonetike dhe e ka ndarë atë në njësi mësimore. Pas pjesës së shkronjave, autori ka vendosur copëza leximi, të cilat, përveç anës edukative dhe morale janë të pajisura edhe me fjalë të urta nga folklori i popullit shqiptar. Abetarja në fjalë ka një vëllim të konsiderueshëm faqesh (gjithsej 48 faqe)[52] dhe shërbeu për disa vite për mësimin e lexim-shkrimit shqip nga masat e popullit.[53]
VI. Abetarja shqip me gërma arabe e Rexhep Tetovës (1847-1917)
Rexhep Tetova ose siç njihet ndryshe me emrin Hoxhë Voka lindi në fshatin Shipkovicë në vitin 1847. Arsimin fillor dhe atë plotor e mori në vendlindje, ndërsa atë të lartë për shkenca islame e përfundoi në Stamboll.
Pas kthimit në Tetovë në vitin 1895 e, sidomos pasi u emërua si myfti i Vilajetit të Manastirit në vitin 1903, Hoxhë Voka, mori pjesë aktive në Lëvizjen Kombëtare. Në vitin 1910, ai botoi veprën programatike “Mendime”[54], e cila, na jep një pasqyrë të qartë të gjendjes intelektuale dhe arsimore të popullit shqiptar, rrugët dhe mënyrat se si mund të kapërcehej e të dilej nga kjo gjendje. Megjithë kulturën e gjerë që kishte, Hoxhë Voka, mbajti një qëndrim të kundërt ndaj alfabetit të Manastirit. Ai ishte ithtar i shkrimit të gjuhës shqipe me alfabet arab.
Prandaj, në këtë kuadër, në vitin 1910 ai botoi një abetare në Stamboll të titulluar “Abeja shkip” me një tirazh prej 10.000 kopjesh. Abetarja e Hoxhë Vokës ka gjithsej 20 faqe dhe në hyrje të saj është shkruar ky dedikim: “Popullit të zgjuar shqiptar, që fëmijët të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e vet amtare, në mënyrë që të arrihet një përparim material dhe shpirtëror”. Megjithë përpjekjet e mëdha të autorit për të gjetur shkronja të reja për të plotësuar ata tinguj të shqipes që nuk i kishte alfabeti arab, kësaj abetareje i mungonte ana praktike dhe nuk pati përhapje të gjerë. Të gjitha këto nuk ia zbehin aspak vlerat kësaj figure, deri në fund ai mbeti ithtar i shkollës dhe i mësimit të gjuhës shqipe. Në librin “Mendime” ai shkruan se: “Nuk ka në histori asnjë shembull në jetë, që një popull të ketë përparuar dhe të jetë ngritur pa mësuar në gjuhën e vet…”.[55] Më poshtë, ai i fton të gjithë shqiptarët që: “Gjuhën tone, bashkë me gjuhën turke, ta mësojmë se është një punë e mençur. Secili e din se deri tani sat ë mos mësojmë edhe në gjuhën tonë amtare, kombit dije dhe edukim të përgjithshëm nuk mund t`i japim…”.[56] Më 1911 ai botoi edhe “Gramatikën elementare shqipe” si dhe një tekst mësimor fetar “Ilmihal i hollësishëm shqip”. Moto e Rexhep Tetovës për të gjithë shqiptarët mbetën fjalët: “Shkollat t’i hapim dhe në mos paçim mundësi të ndërtojmë ndërtesa të mëdha, në kolibe me kashtë t’i tubojmë fëmijët vetëm që të mësojnë” dhe “ne shqiptarët është turp të mbesim më poshtë se popujt e tjerë”.
VII.Abdulhaqim Hiqmet Dogani (1880-1955)
Abdulhaqim Hiqmet Dogani lindi në vitin 1880 në një famijle me tradita të hershme fetare dhe patriotike, për shumë vite me radhë babai i tij kishte shërbyer si myfti i Gostivarit.
Pasi përfundoi studimet e larta në Stamboll, Abdulhaqim Hiqmet Dogani ndoqi rrugën e mësuesisë. Në vitin 1911, afërsisht për gjashtë muaj, ushtroi detyrën e profesorit të gjuhës shqipe në shkollën Normale (Darul-mu`allimin) të Shkupit. Për pak kohë, ai u zgjodh edhe deputet në Parlamentin e dytë Osman si përfaqësues i Gostivarit. Por, kontributi i tij kryesor konsiston në fushën e tekstologjisë, si didakt ai mban autorësinë e të paktën 16 teksteve shkollore, të cilat janë të shkruara në gjuhën turke.[57] Në këtë kuadër ai hartoi dhe një “Abetare shqip me gërma arabe” (“Arnavutça elifba-arap harlariyla”), ndërsa në vitin 1946 hartoi një “Abetare”[58] të gjuhës shqipe, të cilën për shkaqe objektive ne nuk kemi mundur ta sigurojmë brenda kohës që po përgatisnim këtë kumtesë.
VIII.Përfundime
Nga hulumtimet e deritanishme, siç u evidentua dhe më sipër, klerikët myslimanë shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare kanë luajtur një rol të rëndësishëm për shkrimin, mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Për këtë, tregues i qartë është fakti se një alfabet origjinal me gërma latine siç ishte ai i Hoxhë Hasan Tahsinit dhe gjashtë abetare të gjuhës shqipe mbajnë autorësinë e këtyre klerikëve. Pa folur pastaj për libra, fjalorë, tekste mësimore dhe ndikim e madh që ato patën për zhvillimin e gjuhës shqipe.
[1] Shih: Historia e Shqipërisë, vëll. II, Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë, 1984, f. 429-436.
[2] “Veteranët e Klerit Mysliman”, Zani i Naltë, nr. 11, Nanduer 1937, f. 330.
[3] “O ti mbret, o shumë i larti kryetar!/ Nga e dlirta fryma jote unë marr/ të Edenit erën, hirin paraisor,/ O Hasan-Tahsin, o trëndafil qiellor!”. Shih: Laurant Bica, “Përmendorja Naimiane për Hasan Tahsinin”, PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore, Viti XII, 2007, Nr. 3 (46), f. 61-74.
[4] Diapazoni i tij i gjerë në fusha të ndryshme të shkencës reflektohet edhe në titujt e librave që ai shkroi, si: Historia e krijimit; Themeli i gjithësisë; Psikologjia apo dituria e shpirtit; Të fshehtat e ajrit dhe ujit; Rruzullimi i përbotshëm; Pasqyra qiellore, etj, etj. Shih: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Riyadh: International Islamic Publishing House, 1992, f.73.
[5] Shih: Ali Arslan, Darülfünun‘dan Üniversiteye, Istanbul: Kitabevi, 1995; Emre Dölen, Osmanlı Döneminde Darülfünun (1863 – 1922), Türkiye Üniversite Tarihi, Cilt 1, Istanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları, İstanbul 2009.
[6] Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër: Shtëpia Botuese Idromeno, 1999, f.219.
[7] Ligor Mile, “Rreth luftës për arsmin kombëtar në qarkun e Korçës”, Studime Historike, nr. 2, 1969, f. 93.
[8] Jani Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë 1972,f.268.
[9] Ibrahim D.Hoxha, “Hasan Tahsini”, Revista pedagogjike, nr.3, 1972, f.109.
[10] Zana Lito, “Armë e diturisë dhe e përparimit-një shkrim i panjohur i dijetarit Hasan Tahsinit, botuar në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, 16.7.1978, f.13.
[11] Po aty, f.14.
[12] T.Osmani, Udha e shkronjave…, f.231; Ibrahim D.Hoxha, Nëpër udhën e penës shqiptare: nga historiku i ABC-së dhe i shkrimit shqip, Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, 1986, f.134.
[13] Necip Alpan, Arnavut alfabesi nasıl doğdu, Ankara: Çağdaş Basımevi, 1978 s.16.
[14] T.Osmani, Udha e shkronjave…, f.235.
[15] Mbi datëlindjen e Daut Boriçit autorë të ndryshëm japin të dhëna të ndryshme. Kështu, ndërsa Prof.Jup Kastrati shkruan se ai ka lindur më 22 nëntor 1823, Nexhmi Bushati në një artikull të gjatë mbi jetën dhe veprimtarinë e kësaj figure shkruan se ai ka lindur më 20 dhjetor 1825. Shih: Jup Kastrati, Figura të ndrituna të rilindjes kombëtare, Shkodër: Migjeni, 1962, f.130; Nexhmi Bushati, “Të dhëna rreth biografisë së Daut Boriçit”, Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës, (Seria e Shkencave Shoqërore), nr.2, 1962, f.268.
[16] Me shkresën datë 14 tetor 1863, Ministria e Arsimit, e lavdëronte Daut Boriçin për përparimin e nxënësve të shkollës Ryshdije. Shih: Nexhmi Bushati, art. i cit., f.272.
[17] Xhafer Belegu, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1939, f.22; D.Ndoc Nikaj, Historija e Shqypnisë, Shkodër, 1917, f.192; Jup Kastrati, “Daut Boriçi”, Buletini për shkëmbimin e eksperiencës, 1954, f.8.
[18] Ilo Mitkë Qafëzezi, Dhaskal Gjoka, Korçë: Biblioteka Shqiptare “Qafëzezi”, 1936, f.87.
[19] Shefik Osmani, Niazi Kazazi, Abetaret shqipe dhe trajektorja e tyre historiko-pedagogjike, Shkodër: Idromeno, 2000, f.85.
[20] Po aty.
[21] Po aty, f.86.
[22] Po aty, f.88.
[23] Po aty, f.89.
[24] Po aty, f.91.
[25] Po aty, f.92.
[26] Në ditarin e parë përfshihen vitet 1844-1850, ndërsa në ditarin e dytë vitet 1893-1895.
[27] “Autobiografia e Hafiz Ali Ulqinakut”, Zani i Naltë, nr.41, 1937, f.355-357.
[28] Ky libër i jurisprudencës islame e ka marë emrin nga dijetari i njohur dhe hartuesi i mbi 100 librave Molla Fenari (1350-1431), Shehul-Islami i parë i Perandorisë Osmane. Shih: Mefail Hızlı,Osmanlı Bilim Tarihinin İlk Büyük Siması Molla Fenari, Bursa: Bursa Kültür Sanat ve Turizm Vakfı Yayınlar, 2009.
[29] Për këtë kontribut ai u dekorua edhe me medaljen “Për veprimtari patriotike” si aktivist i dalluar dhe luftëtar i Lidhjes së Prizrenit nga Kuvendi i Shqipërisë. Shih: Zëri i Popullit, nr.136, 8.6.1978, f.2.
[30] Hafiz Ali Ulqinaku, Mevludi Sherif, parathënie e shkruar nga H.Sait Ulqinaku, pa datë botimi.
[31] Faik Luli, Islam Dizdari, Hafiz Ali Ulqinaku-jeta dhe veprat, Shkup: Logos-A, 2005, f.27.
[32] Po aty., f.29.
[33] Hafiz Ali Ulqinaku, Mevludi Sherif, Shtëpia Botonjëse “Kristo Luarasi”, 1933, f.31.
[34] Osman Myderrizi, “Letërsia shqipe me alfabet arab”, Buletini për Shkencat Shoqërore, nr.2, 1955, f.148-155.
[35] F.Luli, I.Dizdari, Hafiz Ali Ulqinaku…, f.40.
[36] AQSH, Fondi 25, Dosja 3, fl.1-15.
[37] F.Luli, I.Dizdari, Hafiz Ali Ulqinaku…, f.51-78.
[38] Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, vëll.I, Shkup: Logos-A, 2000, f.44.
[39] Mahmud Hysa, Said Najdeni-Hoxhë Voka, veprimtar i Lëvizjes dhe Rilindjes Kombëtare, Harper Woods: Albanian Islamic Center, 1992, f.3-5.
[40] “Veteranët e Klerit Mysliman”, Zani i Naltë, nr.11, Nanduer 1937, f.342-343.
[41] Abetare e gjuhesë shqip: nde të folë gegënisht, Sofje: Mbrothësia, 1900, 16 faqe, 19 cm. (Kjo abetare ndodhet edhe në arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë në indikacionet: s.11.f.133 dhe 89.r.95).
[42] Fe-rrëfenjësja e myslimanëve, Sofje 1900.
[43] Abdyl Ypi, Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça, Tiranë 1918.
[44] Shih: Ismail Ahmeti, Hafiz Ali Korça-jeta dhe vepra, Shkup: Logos-A, 1999.
[45] Më 21 dhe 22 dhjetor 2011, në Korçë u mbajt konferenca shkencore “Hafiz Ali Korça 55 vjet pas”. Kjo ngjarje e madhe shkencore, që u organizua me rastin e 55-vjetorit të vdekjes së rilindësit të madh shqiptar, Hafiz Ali Korça, u cilësua si konferencë ndërkombëtare, sepse e organizonin institucione të dy vendeve të ndryshme, të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Organizatorë të këtij tubimi ishin: Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës dhe SHB “Logos-A” – Shkup nga Maqedonia. Ndërkaq me pjesëmarrjen e tyre tubimin e nderuan edhe zyrtarë dhe studiues nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës.
[46] Sadik Bega, “Hafiz Ali Korça-pasqyrë atdhetarizme për brezin e ri”, Kultura Islame, nr.3-4, nëntor-dhjetor 1941, f.102.
[47] Ribotimi i plotë i veprës së Hafiz Ali Korçës u realizua në mënyrë prestigjoze nga shtëpia botuese “Logos-A” në vitin 2006.
[48] Disa dorëshkrime origjinale dhe të pabotuara të Hafiz Ali Korçës, autori i kësaj kumtese ia ka dorëzuar personalisht rektoratit të universitetit Bedër. Ndërsa disa të tjera kemi pasur rastin t`i lexojmë në muzeun e qytetit të Kavajës, ku Hafiz Aliu jetoi dhe vdiq si i internuar nga regjimi komunist.
[49] Ismail Ahmeti, Hafiz Ali Korça…, f.24-27; Sadik Bega, art. cit., f.103; Në një fjalim të mbajtur më 18 shkurt 1910 përpara 12.000 vetave Hafiz Aliu në duanë që bëri falenderoi Zotin për përkujdesjen e gjithësisë, për madhërinë e fuqisë së tij, për gjuhët e dialektet që ka krijuar dhe theksoi se: “Shkronjat shqipe që kemi pranuar, janë vegla me të cilat shkruhet kjo gjuhë. Po kjo nuk do të thotë se ne i urrejmë shkronjat arabe me të cilat mësojmë Kur`anin. Por, meqë Statuti shtetnor për të kënduar gjuhën e memes na len të lirë, atëherë me gëzim të madh do të këndojmë gjuhën tonë me këto shkronjat e saja sa asnjë fuqi nuk mund të na ndajë”. Shih: Hafiz Ali Korça,Shtat ëndrat e Shqipnisë, Tiranë 1944 (botimi i dytë), f.39.
[50] Hafiz Ali Korça, Abetare, Korçë: Shtypshkronja “Korça”, 1910. (Kjo abetare ndodhet edhe në arkivin e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, në indikacionet: s.292.f.48).
[51] Sh.Osmani, N.Kazazi, Abetaret shqipe…, f.169.
[52] Hafiz Ali Korça, Abetare, vep. e cit., f.48.
[53] Sh.Osmani, N.Kazazi, Abetaret shqipe…, f.171.
[54] Rexhep Vokë Tetova, Mendime, Tetovë: Këshilli i Bashkësisë Islame, 1991, f.46 (Transkiptimi dhe përshtatja në gjuhën e sotme shqipe u realizua nga dr.Feti Mehdiu). Kjo vepër është botuar për herë të parë në Stamboll në vitin 1910.
[55] Po aty, f.27.
[56] Po aty, f.29.
[57] Shih: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve…, f.79-80; Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX, Tiranë: Insituti i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, 1997, f.315.
[58]Abdulhaqim Hiqmet Dogani, Abetare, Shkup: Kultura, 1946.
(Ki)
0 comments:
Post a Comment