Përpjekjet që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë pos financave të veta edhe qasje në Trepçë e Ujman janë demonstrim i mungesës së aftësisë së palës kosovare.
![]() |
| Arben Ahmeti |
Është e jashtëzakonshme të shkruash në këtë kohë për dialogun. Është e jashtëzakonshme sepse kërcënimet kanë filluar, gjakrat janë nxehur e edhe bandat janë rigrupuar. Gjithçka është gati për të na e dëshmuar se ne shqiptarët qoftë në shtetin që mbushi 101 vjet, qoftë në këtë të porsalindurin multietnik, e kemi vështire ta dëshmojmë shtetbërjen. Sepse ne e kemi vështirë të mbajmë zgjedhje normale.
Sepse ne gërditemi nga diskursi elektoral ku secili mendon se shteti do të përfundojë nëse ai nuk e ka pushtetin, por përsëritemi më gërdinë tonë. Sepse ne duam pushtetin e jo shtetin. Sepse ne shtetin e diskutojmë ne Bruksel me qëllimin që të mbajmë pushtet në pjesën tjetër të Kosovës, ndonëse kjo mënyrë e dialogut po ia transferon pushtetin në një pjesë të Kosovës Beogradit!
Fatkeqësisht për politiken tonë çfarëdo që ndodh me pesë dhjetor në Bruksel, nuk ka rëndësi sepse me rendësi është vetëm ajo që ndodh më 1 dhjetor në zgjedhje. Për politikën tonë nuk është me rëndësi se çfarë do të ndodhë në prill kur është afati i fundit që të arrihet marrëveshja e dytë e normalizimit me Beogradin, sepse deri atëherë këta do të mendohen se si të shkojnë në zgjedhje nacionale.
Sepse pushteti është më i rëndësishëm se sa forma që do të marrë shteti pas asaj marrëveshje. Sepse tek ne edhe promovimi i autostradave, vizitat e kryeministrave, deklaratat e nxjerra prej arkivave dhe çdo potencial tjetër zbrazet në zgjedhje me qëllim pushtetin. Sepse prej paslufte kemi harruar solidaritetin për shqiptar.
Sepse tash komandantët që bënë luftën po mendojnë për tendera e pushtet. Sepse tash profesorët që kanë bërë rezistencën paqësore, kanë harruar idealet dhe qëllimin e vetëm që ia kanë vënë vetes është rritja e rrogave për ndonjë cent.
Sepse është kohë e keqe.
Është edhe një nëntor i ftohtë.
(Autori është Redaktor Përgjegjës në gazetën Tribuna).

0 comments:
Post a Comment