Ilir Deda, dikur këshilltar i Bajram Rexhepit, e ka graduar Qeverinë e Hashim Thaçit edhe me një vlerësim më të lartë sa i përket krimit dhe korrupsionit. Për dallim prej herës së parë, ish-udhëheqësi i FER'it, tash ndërmarrjen e ka zëvendësuar me korporatë të përbashkët kriminale.
"z. Thaçi është në krye të kësaj korporate kriminale në Kosovë. Dhe, kjo është ajo që kam thënë edhe më vonë se kjo është tragjedia nacionale e Kosovës që Shteti jonë është i zaptuar, në momentet kyçe të shtet ndërtimit", ka thënë Deda, në një intervistë, për Gazetën Express.

Drejtori aktual i KIPRED'it përsëri ka thënë se do ta përkrahë një parti politike që është në opozitë.

E bashkë me te është edhe Lulëzim Peci, ish-ambasador i Kosovës në Suedi dhe ish-Zyrtar Ndërlidhës në Beograd.

Deda para vetës kanë dy parti, LDK'në dhe Vetëvendosjen, të cilat thotë se duhet të jenë bashkë ne Qeverinë e ardhshme.

Ish-Këshilltari Kryesor i Presidentes Jahjaga parashikon se nëse preket Kushtetuta, atëherë duhet të ndërrohen edhe simbolet shtetërore dhe të emërtohet Kosova si Shtet i Shqiptarëve dhe pakicave.

Deda flet edhe për aksionin e vitit 2005, kur, sipas tij, UNMIK'u kishte planifikuar arrestimin e më shumë se 100 politikanëve.

Express: Cili është vlerësimi i Juaj për zgjedhjet lokale dhe çka sollën ato në skenën politike?

I. Deda: Kjo është fitorja më e madhe e popullit të Kosovës prej shpalljes së pavarësisë. Kjo tregon për zgjedhje të lira dhe demokratike, ku nuk ka manipulim të numërimit të votave. Këtu fillon ndryshimi dhe bëhet ndryshimi politik. E qartë se PDK dhe AAK janë humbëset më të mëdha të këtyre zgjedhjeve. Prej një dhjetorit s'ekzistojnë më bastione partiake. Për më shumë, dëshmimi i rrjeteve klienteliste, sidomos në Mitrovicë të Jugut dhe në Ferizaj tregon një pjekje të jashtëzakonshme politike të popullatës dhe ndryshimet, të cilat kanë filluar më një dhjetor, të cilat në një mënyrë e sjellin një gjeneratë të re në pushtet, është kahja drejt të cilës do të shkon Kosova në vitet e ardhshme. Këto ndryshime duhet të vulosen me ndryshime politike në zgjedhje e shtatorit të vitit të ardhshëm.

Express: Edhe Ju keni paralajmëruar se nuk do të rrini jashtë politikës, por ende s'e keni qartësuar se me cilën parti do të shkoni. Janë përmendur se keni dy opsione - LDK dhe VV'në?

I. Deda: Ju i keni përmendur.

Express: Pra, cilat janë opsionet e juaja?

I. Deda: Unë kam thënë që në zgjedhjet nacionale nuk do të jem drejtor i KIPRED'it. Dhe se do të përkrahi një parti të caktuar politike në opozitë. Ajo do të varet prej tri gjërave: E para është një program për zhvillim ekonomik të Kosovës; e dyta, ka të bëjë me ridefinimin e Kosovës në proceset e dialogut me Serbinë; e treti, ka të bëjë me përkushtim për përmbylljen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Express: Cila prej këtyre partive i ka këto tri elemente që po i përmendi si kushte për të marrë mbështetjen tuaj?

I. Deda: Shpresoj që do të ndërtohet ky program. Çka është me rëndësi, është që pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale, boshti i Qeverisë së ardhshme duhet të jetë LDK dhe Vetëvendosje. Të dy këto duhet të shkojnë bashkë në Qeveri që të filloj ndryshimi i mirëfilltë i Kosovës. Dhe, që të fillon edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilën e ka instaluar Partia Demokratike e Kosovës.

Express: Tash, po i përmend dy parti që mund ta bëjnë ndryshimin. Janë këto dy parti opsionet e juaja për të ardhmen politike?

I. Deda: Nuk është kjo temë e kësaj bisede. Dhe, nuk është temë për vitin 2013. Ajo çka është më me rëndësi, sot, kur ne po e bëjnë këtë intervistë, është fillimi i instalimit të komunave status neutrale në Kosovë, të cilat do ta krijojnë Bashkësinë e komunave serbe. Dhe, është rruga qorre e pamenduar për ndryshime të Kushtetutës në lidhje me vendet e rezervuara për pakicat në Kosovë.

Express: A i kanë AAK dhe LDK tri elementet që i përmende?

I. Deda: Jo, jo nuk i kanë.

Express: Por, po del se i kanë LDK dhe VV?

I. Deda: Nuk e shoh se janë zhvilluar ende. Por, duhet të shihet se cili do të jetë programi për zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Express: Keni ndërruar shumë pozita, njëherë keni qenë Këshilltar i një Kryeministri të PDK'së, pastaj njëri prej udhëheqësve të FER'it, pastaj Këshilltar i Presidentes. Tash, cilën pozitë e synoni?

I. Deda: S'ka të bëjë kjo me pozita. Asnjëherë s'kam funksionuar me mentalitet të pozitave. Përndryshe, mua më kanë ofruar shumë shpesh pozita më të larta, të cilat unë s'i kam pranuar sepse nuk kam mundur të shtyjë ndryshime politike.

Edhe kush tjetër, përpos jush, do të jetë pjesë e projektit tuaj për ta përkrahur një parti politike?

I. Deda: Lulëzim Peci.

Express: Çfarë pozitash të janë ofruar?

I. Deda: I kam fol më herët dhe nuk është logjikë e funksionimit tim se kush, çfarë pozite merr.

Express: E keni opsion edhe formimin e ndonjë partie politike?

I. Deda: Jo. Nuk ka parti të re politike. Nuk ka as hapësirë për parti të re politike. Ajo çka shihet është se elektorati i Kosovës me një dhjetor ka treguar qartë se çfarë partish politike dëshiron, apo çfarë profili politik dëshiron.

Express: A i keni rënë pishman pse nuk shkuat edhe ju në Vetëvendosje?

I. Deda: Jo. Nuk i kam rënë pishman. As që kam menduar për atë punë. Dua të them edhe një herë se puna e Frymës së Re është storie e përfunduar që dy vite e gjysmë.

Express: Pse nuk po i bashkoheni mikut tuaj Shpend Ahmetit në Vetëvendosje që doli fitues i madh në garën për Prishtinën?

I. Deda: Nuk po e kuptoj pyetjen?

Express: A do t'i bashkoheni Shpend Ahmetit në projektin e tij edhe në Vetëvendosje, edhe në Prishtinë?

I. Deda: Sa e di unë, Shpendi ka projekt për Prishtinën. Nuk e di që ka projekt për Vetëvendosjen.

Express: Pse s'ka projekt për Vetëvendosjen?

I. Deda: Ai e ka mandatin për me ndryshu gjendjen në Prishtinë dhe Shpendi i plotëson dymbëdhjetë pikat që iu ka premtuar qytetarëve - banorëve të Prishtinës - me të cilët edhe i ka fitu zgjedhjet.

Express: Ka pasur shumë komente sa i përket fitores së Shpendit apo Vetëvendosjes. Ka fituar Shpendi apo Vetëvendosje?

I. Deda: Shpendi ka pasur hapësirë më të gjerë politike dhe prani më të gjerë politike sesa Vetëvendosje. Por, as Shpendi s'do të mundte pa Vetëvendosjen e as Vetëvendosje pa Shpendin.


Express: Ku gjendet Kosova sot si shtet?

I. Deda: Kosova gjendet aty ku e ka sjell Hashim Thaçi. Ajo është sovraniteti i dyfishtë në Kosovë dhe bashkëqeverisja e Prishtinës dhe Beogradit me serbët e Kosovës. Këtë e kemi thënë që sa kohë. Kosova nuk ndodhet më afër BE'së apo thënë ndryshe nëpërmjet këtij dialogu Serbia po afrohet me Brukselin e Prishtinë s'po afrohet as me Brukselin dhe as me Mitrovicën Veriore. Për këtë arsye dhe për shkak të rezultatit të zgjedhjeve, z. Thaçi dhe Qeveria e tij nuk kanë më të drejtë dhe as legjitimitet demokratikpër të nënshkruar marrëveshje të reja në Bruksel. Dhe, dialogu i tanishëm duhet të pauzojë dhe dialogu të vazhdojë me rregulla të reja nga Qeveria e ardhshme e Kosovës, pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale. Çka po ndodh tash është instalimi i komunave, të cilat do ta sabotojnë Shtetin e Kosovës që kemi thënë qe sa. Këto komuna do të funksionojnë në orbitën e Beogradit më shumë se sa të Prishtinës. Shiheni tash momentin kur tash z. Thaçi ka premtuar Brukselit se do t'i ofrojë vende në Kuvendin e Kosovës vetëm për Veriun e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se do të ndodh për shkak se kemi një opozitë të qartë të LDK'së dhe VV'së se nuk do ta pranojnë një gjë të tillë.

Express: Por, kemi parë se deri më tash LDK e ka ndryshuar qëndrimin me pak presion ndërkombëtar?

I. Deda: Mendoj se tash jemi përball një rruge ose që ta mbajmë këtë Kushtetutë çfarë është, e cila patjetër se një ditë patjetër se duhet të ndryshohet sepse Kosova më nuk është Kosovë e Ahtisaarit. Tash, është Kosova e ndarë në dy pjesë, njëra pjesë e cila do të kontrollohet nga Bashkësia e komunave serbe, dhe tjetra nga ne. Apo, në qoftë se ndodhin ndryshimet kushtetuese, atëherë duhet të ndryshojë komplet karakteri i shtetit të Kosovës. Duhet të ndryshojnë të gjitha kufizimet që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit. E me këtë duhet të ndryshojnë edhe simbolet e Shtetit. E, edhe përkufizimi i Kosovës si shtet qytetarë që është realisht. Nëse ndërrohet Kushtetuta, atëherë duhet të përkufizohet se Kosova është shtet i shqiptarëve dhe i pakicave kombëtare.

Express: Pse do të këtë ndryshim të përkufizimit se Kosovës si shtet qytetarë?

I. Deda: Sepse me këtë insistim të partive të pakicave në Kosovë që t'iu garantohet edhe dy mandate vendet e rezervuara, këto parti sillen në një mënyrë të pa-përputhshmërisë me Kushtetutën. Kushtetua e tanishme pakicat i bën pjesë integrale të Shtetit. Ato duan që të trajtohen si pakica. Kjo do të thotë se ne nuk mundemi që të bëjmë eksperimente më me këtë Shtet. Por, duhet të sqarohet pozita çfarë shteti është Kosova. Por, nuk mund të ketë ndryshime gjysmake të kësaj Kushtetute.

Express: Por, liderët e partive politike, përfshirë z. Thaçi, z. Mustafa, z. Pacolli dhe z. Blerim Shala iu kanë premtuar pakicave vazhdimin e mandateve të rezervuara si kusht për votimin e ndryshimeve kushtetuese në kohën e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë?

I. Deda: Edhe një vit më vonë z. Thaçi premton vende shtesë për serbët e Veriut të Kosovës. Realisht, jemi para asaj që të shtohet numri i vendeve për pakica nga 20 në 25 për të gjithë pakicat, edhe për kroatët dhe malazezët. Jemi në një pozitë ku partitë shqiptarë s'mund të garojnë për 85 vende në Parlament e 35 apo 40 pas zgjedhjeve t'i marrin partitë e pakicave.

Express: Sa është rreziku i defunksionalizimit të Parlamentit nëse ndodh kjo?

I. Deda: Shteti po defunksionalizohet. Jo vetëm Parlamenti. Shteti i Kosovës po defunksionalizohet me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit.

Express: Raportet me vlerësime negative po vazhdojnë të vijnë për Kosovën. Edhe Raporti i fundit i Transparency International nxorri Kosovës si një ndër vendet më të korruptuara. Çfarë përgjegjësie mban për këtë elita politike?

I. Deda: Gjysma e elitës politike është vetë problem dhe e ndërlidhur direkt me korrupsion dhe me krim të organizuar në Kosovë. Kjo elitë nuk do të bëjë, apo kjo e tanishmja që sot është në Qeveri, nuk do të bëjë asgjë që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Express: Sipas Jush, pse nuk po ndiqen elita politike, për siç thoni Ju, veprimet korruptive të tyre?

I. Deda: Më merr mendja që me zgjedhjet e ardhshme këta do ta humbin pushtetin. Ky do të jetë një rast i mirë edhe për pastrim në radhët e tyre. Çka është më me rëndësi edhe një herë se qytetarët e Kosovës duhet ta shohin forcën e vetë, të cilën e kanë fituar me zgjedhje të lira. Domethënë, populli jonë është bërë hisedarë në zhvillimin politik dhe në drejtimin politik të shtetit. Ndryshimet e një dhjetorit duhet të vazhdojnë në zgjedhjet nacionale të vitit 2014.


Express: Meqë jemi te korrupsioni, në të kalurën në një debat televiziv keni deklaruar se ndërkombëtarët kanë akuzuar dhe gjykuar elitën politike, pra rreth 100 politikanë. A mund të na shpjegoni për çka është bërë fjalë në këto raste?

I. Deda: Janë hetimet.

Express: Janë mbyllur ato?

I. Deda: Nuk janë mbyllë. Në fakt, nuk e di a janë mbyllë.

Express: Keni thënë se janë heshtur nga ndërkombëtarët?

I. Deda: Në kohë të UNMIK'ut po flet. Ajo është tjetër kohë. Në atë kohë normal që janë mbyll, jo 100 raste, por më shumë se 100 raste. Sepse është dashur që me çdo kusht që të ruhet stabiliteti politik në Kosovë që mos të prodhonte kriza politike, duke u goditur lidershipi i partive politike.

Express: Kush i ka zhvilluar këto procese gjyqësore dhe si janë zhvilluar pasi askush nuk i ka ditur ato raste?

I. Deda: Këto i ka thënë z. Soren Jesen Petersen shumë qartë. Në vitin 2005, UNMIK'u ka dashur që të bëjë pastrimin e skenës politike nga personalitetet politike, të cilat janë direkt të zhytura direkt në korrupsion dhe në krim të organizuar. Në mëngjes para se të fillojë ky aksion ka ardh deri te ndalja e këtij veprimi për shkak të presioneve nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. Kjo është deklaratë publike e z. Petersen.

Express: Ju e dini se kush janë këta?

I. Deda: Jo nuk e di saktë kush janë gjithë këta njerëz.

Express: Por, për disa e dini?

I. Deda: Po.

Express: A mund të tregoni se kush janë ata?

I. Deda: Jo.

Express: Më herët keni thënë se në Kosovë ekziston një ndërrmarrje e përbashkët kriminale. A qëndroni ende prapa këtij konstatimi?

I. Deda: A nuk po e shihni. Të gjithë në Kosovë po e shohin efektet e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e cila është në Qeveri të Republikës së Kosovës. z. Thaçi është në krye të kësaj korporate kriminale në Kosovë. Dhe, kjo është ajo që kam thënë edhe më vonë se kjo është tragjedia nacionale e Kosovës që Shteti jonë është i zaptuar, në momentet kyçe të shtet ndërtimit. Për këtë arsye kemi marrëveshje çfare po bëhen. Për këtë arsye s'kemi as rrugë të hapur drejt BE'së sepse Kosova nuk e ka perspektivën e qartë europiane. Për këtë arsye s'jemi as afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Jemi duke mbetur të izoluar. Të përçarë brenda institucionalisht dhe politikisht nëpërmjet Prishtinës dhe Mitrovicës Veriore. Dhe, në qoftë se kjo rrugë vazhdon atëherë Kosova më shumë do t'i ngjajë Tajvanit se sa një Shtetit të BE'së.

Express: Cili është komenti juaj për riaktualizimin e krimeve të luftës nga EULEX'i, ku i fundit që u intervistua ishte Jakup Krasniqi?

I. Deda: Mendoj se nëse udhëheqësit e luftës janë të pafajshëm, atëherë, kjo pafajësi duhet të tregohet në Gjykatë. Dhe të dëshmohet në Gjykatë. Më mirë është që të një dëshmim të tillë se sa të mbesim spekulime gjithë andej Europës, a janë udhëheqësit, apo disa nga udhëheqësit e UÇK'së janë përgjegjës apo jo për kime lufte. Gjykata, në fund të fundit, është instanca më e mirë ku mund të vjen deri te dëshmimi i pafajësisë apo fajësisë për ndonjë njeri. Kjo nuk është vetëm për UÇK'në, por për çdo rrafsh. Në qoftë se ka pasur krime, atëherë duhet të dënohen. Në qoftë se nuk ka pasur atëherë shlirohen nga spekulimet, të cilat kanë dalë.

Express: Ju keni vizituar edhe Preshevën dhe cila ishte gjendja atje?

I. Deda: Gjendja është shumë e rëndë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ata janë të harruar në mas të madhe Lugina e Preshevës përdoret te ne vetëm për fushatë zgjedhore. Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë duke jetuar para një pastrimi të heshtur etnik. Mos përkrahjes nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe diskriminimi që u bëhet nga ana e Qeverisë së Serbisë dhe nga mungesa e një pozite të unifikuar të tyre për avancimin e të drejtave të tyre në Luginë. Për më tepër, unë mendoj se edhe Tirana, edhe Prishtina duhet t'iu ndihmojnë shqiptarët në tri komunat në Luginë të Preshevës, si në arsim, si në infrastrukturë, si në zhvillim ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ata duhet të marrin një lloj përgjegjësie politike për vetën e jo të mbesin të përçarë për shkak të simpative që kanë ndaj liderëve të caktuar politik në Kosovë.

0 comments:

Post a Comment

 
Top