Komisioni Evropian ka aprovuar fonde shtesë për të mbështetur normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Për të adresuar nevojat e komunave me shumicë serbe në tërë Kosovën dhe në veçanti në komunat veriore, Komisioni Evropian ka miratuar një pako që totalisht përfshin shumën prej 38.5 milionë euro.
Ky financim i veçantë do të fokusohet në infrastrukturën komunale, administratën publike, zhvillimin rural dhe rajonal, punësimin, arsimimin dhe mbrojtjen e ambientit.
“Përveç kësaj shume, Kosova ka në dispozicion edhe 70 milionë euro përmes programit IPA 2013”, thuhet në një komunikatë për media lëshuar nga Komisioni Evropian, të cilës i referohet “RTK”.
Komisioneri për Zgjerimin, Shtefan Fyle ka thënë se në takimin e ministrave të Jashtëm të mbajtur këtë javë, shtetet anëtare të BE-së kanë vlerësuar përpjekjet e bëra nga udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
“Ne angazhohemi që t’i ndihmojmë ata në mënyrë që të ecin përpara në rrugëtimin drejtë BE-së. Shuma prej 38.5 milionëve e miratuar duhet të shërbejë si mbështetje në fuqizimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve”, citohet të ketë thënë Fyle.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment