Gëzim Dauti nga fshati Sllatinë e Epërme të Vitisë, dy herë me forcë gjatë këtij viti, hyri në kazinotë në qytetin e Gjilanit.

Nga aty, herën e parë vodhi 225 euro e herën tjetër 600 euro. Por më vonë u arrestua nga Policia. Në gjykatë, ai u desh të japë përgjigje për këtë që kishte bërë. E tash për 825 eurot që vodhi, duhet të vuajë rrafsh 4 vjet burg e të paguajë gjobën prej 250 euro.

Ky në fakt është vendimi që mori të mërkurën Ilmi Dalipi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Gjilan. Për shqiptimin e këtij dënimi, gjyqtari pranoi në tërësi kërkesën e prokurorit të rastit.

Por para shqiptimit të këtij aktgjykimi, rastit i ka paraprirë një marrëveshje ndërmjet të akuzuarit Gëzim Dauti, 23 vjeç, përkatësisht avokatit të tij dhe prokurorit të rastit.

Zyrtarë të Gjykatës Themelore në Gjilan, kanë konfirmuar për Tribunën se i akuzuari i cili në aktakuzë përshkruhet si person me gjendje të varfër ekonomike dhe i pamartuar, është pajtuar që të pranojë fajësinë. Ky veprim është i parashikuar edhe me Kodin e ri Penal të Kosovës që ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti.

Duke pranuar fajësinë, i akuzuari ose të akuzuarit kanë mundësi t’i shmangen një dënimi shumë herë më të lartë dhe të shkurtohen në tërësi procedurat tjera.

Për këtë arsye, bazuar në dakordimin e të akuzuarit, dhe kërkesën e prokurorit, gjyqtari ka marrë vendim për t’i shqiptuar të akuzuarit Dauti, dënimin prej 4 vjet burg efektiv dhe 250 euro gjobë./Tribuna

0 comments:

Post a Comment

 
Top