Qeveria gjermane thotë se është e vetëdijshme se nuk mund ta obligojë Qeverinë në Beograd që ta njohë tani pavarësinë e Kosovës.

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Andreas Schockenhoff, nënkryetar i Grupit Parlamentar të Unionit Demokristian në Bundestagun gjerman, thotë se edhe Serbia, edhe Kosova duhet të jenë në gjendje që në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra të integrohen në Bashkimin Evropian.

“Kjo do të thotë se të dyja duhet të kontribuojnë në stabilitetin dhe sigurinë e BE-së dhe të mos sjellin atje konflikte të pazgjidhura”, ka thënë njëri nga politikanët me më ndikim të partisë së kancelares Angela Merkel.

Schockenhoff ka theksuar se qëllim i Gjermanisë është integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, porse “të gjitha ato duhet të plotësojnë kushtet”.

"Mendoj se tani nuk është koha që të merret vendimi përfundimtar. Mirëpo, ne nuk duam që në fund të procesit negociator të integrojmë në BE vende që kanë konteste të pazgjidhura rreth territorit dhe sovranitetit. Shpresojmë se në vitet e ardhshme do të ketë rast që të negociohet rreth statusit të Serbisë dhe Kosovës në të ardhmen. Siç e kam thënë, për këtë nuk duhet të merret vendimi në fillim, por në fund të procesit. edhe Serbia edhe Kosova duhet të tregojnë aftësi që në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra të integrohen në strukturat europiane" ka thënë ai.

0 comments:

Post a Comment

 
Top