Prishtinë, 15 dhjetor - Nuk e arritën kryeministrat: Thaçi e Daçiq, por pritet që marrëveshjen për drejtësinë ta arrijnë ekipet teknike në Bruksel.

Në takimin midis kryeministrave mësohet se Serbia ka hequr dorë nga kërkesa për themelimin e Gjykatës Themelore dhe se është pajtuar për një sistem unik të drejtësisë.

Mirëpo, pala serbe është duke insistuar që më çdo kusht kryetari i Gjykatës Themelore të jetë nga komuniteti serb. Po ashtu, kërkesë e palës serbe është që shumica e gjyqtarëve të jenë të nacionalitetit serb. Një kërkesë tjetër që po kundërshtohet nga delegacioni kosovar është posti i kryeprokurorit të Themelores. Në takime të delegacioneve është diskutuar edhe kërkesa e palës serbe që të ekzistojnë dy objekte të gjykatës: një në veri, ku do të punonin serbët, ndërsa tjetra në jug për shqiptarët, gjë që është e papranueshme për palën kosovare.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri Thaçi ka deklaruar se tashti u mbetet grupeve teknike që të vazhdojnë bisedimet. Ndërkohë, i pakënaqur me qëndrimet e kosovarëve është deklaruar kryeministri serb.

KTV-ja ka provuar të merrte informacione nga institucionet kosovare, por ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka rekomanduar të kontaktohet me delegacionin kosovar. Mirëpo, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, i cili ndodhet në Bruksel, nuk e ka hapur fare telefonin.

Megjithatë, në këtë proces bisedimesh kujdes të shtuar kërkon njohësi i së Drejtës kushtetuese, profesori Riza Smaka.(koha)

0 comments:

Post a Comment

 
Top