Kamenica përfiton një teren sportiv donacion nga KFOR-i Amerikan
Komuna e Kamenicës do të jetë përfituese e një tereni të mbyllur sportiv, që do të vijë si donacion nga KFOR-i Amerikan. Nënkryetari i Komunës Fatmir Matoshi është takuar me përfaqësuesen e KFOR-it Major Ginger L. Whitehead, shefe e kontratave, përfaqësuesit e FSK-së, Shemsi Syla, këshilltar i ministrit, Nënkolonel Enver Dugolli, kolonel Kristian Bouveng dhe përfaqësuesit e shkollave të mesme të Kamenicës për të diskutuar për detajet dhe përgatitjet e nevojshme për pranimin e këtij donacioni.
Tereni sportiv i tipit të mbyllur është i dimensioneve 20 x 40 metra dhe mund të përdoret për të gjitha lloijet e sporteve që luhen në terene të mbyllura ndërsa do të jetë i pari në Kamenicë. “Ne u jemi mirënjohës dhe falënderues ushtrisë Amerikane për tërë angazhimin në Kamenicë që nga paslufta si në aspektin e sigurisë poashtu edhe në mbështetjen dhe ndihmën që na keni dhënë në zhvillimin tonë të përgjithshëm si shoqëri, dhe në këtë rast u jemi shumë falënderues për këtë donacion mjaft domethënës për shkollat tona” ka thënë nënkryetari Matoshi.
“Kryetari Sinani është i përkushtuar që pjesën tonë të punës që ka të bëjë me rregullimin e bazamentit për këtë fushë sportive ta përfundojë me kohë qoftë përmes sigurimit të ndonjë donacioni apo edhe nga buxheti komunal dhe shpresojmë që kjo fushë sportive të jetë e gatshme më 1 shtator 2014 me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor” tha nënkryetari Matoshi
Enver Dugolli, shef i sektorit për bashkëpunim me agjencione në ministrinë e FSK ka shprehur gatishmërinë e FSK-së për të marrë pjesë në këtë projekt. “Ne në FSK kemi pranuar një kërkesë nga komuna e Kamenicës për rregullimin e bazamentit, por FSK nuk ka fond të ndarë për këtë investim, ndërsa ne do të marrim pjesë në projekt me transportimin dhe montimin e këtij tereni sportiv” ka thënë Kolonel Dugolli.
Major Ginger L. Whitehead tha se e rëndësishme për KFOR-in Amerikan është përcaktimi i afateve kohore për implementimin e këtij projekti. “Është me rëndësi që ne të mund të bëjmë kërkesën për aprovim të donacionit në ambasadën Amerikane, dhe kjo kërkesë duhet të përfshijë zotimin e komunës për bazamentin e fushës si dhe një zotim se kjo fushë nuk do të keqpërdoret për interesa personale por do të jetë në shërbim të shkollave” tha Major Whitehead.
Në takim mbështetje këtij projekti i kanë dhënë edhe drejtori i Administratës së Përgjithsshme Valon Maliqi, drejtorët e shkollave të mesme Bojan Nikolic e Nebojsa Simic, profesorët e shkollës teknike Agim Maliqi, Arsim Sylejmani e Xhemajl Berisha.
0 comments:
Post a Comment