Është përkujtuar me rastin e 13 vjetorit të rënies heroike komandanti Rahim Beqiri me homazhe dhe kurora lulesh para lapidarit të vendosur në fshatin e tij të lindjes në Kopërrnicë të Kamenicës dhe homazhe para varrit të varrezave të dëshmorëve në Kamenicë.
Në vendlindjen e dëshmorit te lapidari i komandant Rahim Beqiri i njohur si komandant Roki, ishin tubuar bashkëluftëtarë , e qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare për ta nderur figurën e dëshmorit i cili mori pjesë në tri luftrat që u zhvilluan në trojet shqiptare për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, ku edhe ra dëshmor.
Kryetari Sinani përshendeti pjesëmarrësit dhe bashkëluftarët e komandantit “ Nderojmë dhe përkulemi për të gjithë dëshmorët e kombit tone, fshati Kopërrnicë dhe Komuna e Kamenicës krenohen dhe çmojnë vepren dhe kontributin e dhe komandantit tonë në kundërvënie e në luftë kundër dhunës e shtypjes, kundër okupimit dhe kundër projekteve për shpërnguljen nga trojet tona, që Rahim Beqiri, i brumosur edhe nga tradita atdhetare e familjes, të kalitej si një djalë, si një njeri i pjekur, në idenë kombëtare të çlirimit dhe të shtetit. Qëllim, që duhet ta arrinte me organizim në luftën guerile dhe në luftën çlirimtare deri në fitoren përfundimtare”.
Rahim Beqiri lindi më 1 janar të vitit 1957 në Kopërnicë të Kamenicës së atëhershme. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, ndërsa ate të mesme e kreu në Dardanë. Si i ri kyçet në Lëvizjen Popullore të Kosovës nga ku më pas sistemohet në luftën për çlirimin e Kosovës. Pas mbarimit të luftës në Kosovë, ai nuk rri i qetë, por u del në ndihmë vëllezërve në Luginën e Preshevës.
I armatosur me përvojë të jashtëzakonshme, strategji luftarake e zemër fisnike, Rahim Beqiri kyçet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ku nga Shtabi i Përgjithshëm emërohet dhe merr detyrën e Komandantit të batalionit.
Rahim Beqiri plagoset rëndë në Drenovec të Tetovës, Gjatë dy ditëve, në kushte lufte transferohet në Spital të Prishtinës ku mjekët bënë të pamundurën por nuk arritën ta shpëtojnë nga vdekja.
Rahim Beqiri ndërron jetë më 1 gusht të vitit 2001, ndërsa varroset më 2 gusht pranë shokëve të tij në varrezat e Dëshmorëve në Dardanë.
Në emër të familjarëve foli djali Liridon Beqiri, i cili falënderoj të gjithë të pranishmit që morën pjesë në përvjetorin e babait të tij.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment