Nga Arijeta Agaj Psikologe Kamenicë


Imagjinoni sikur zgjoheni në mëngjes edhe keni vetëm  30 minuta  për të arritur në punë dhe rrugës duhet ti lini fëmijët në kopsht , gjëja e pare që duhet bërë është te pastroni dhëmbët, dhe tani kuptoni se nuk ka ujë. Pasi gjen një zgjidhje për këtë del nga shtëpia në njërën dorë qantën dhe çelësat e makinës dhe në tjetrën dorë një sandviç,  vazhdon tutje në rrugë edhe kolona dhe tollovia në trafik është aq e madhe se mezi shpëton  pa bërë aksident, pasi nuk ke kohë për të pirë kafen në kafiteri duhesh patjetër të marrësh një kafe të shpejt me vete në zyrë .

Kur veç ke arritur ne zyre sheh qe nuk e ke ne usb-n ne të cilën ke punuar projektin dhe duke e kërkuar në qantën tuaj derdh kafen mbi dokumentet e punës , në atë moment hyn shefi edhe të thotë se ke vetëm dy ore kohë  per ta përfunduar raportin që ke pasë ta përfundosh deri ora 14:00 sepse takimi do te mbahet ma herët.

Dhe ju e keni derdh kafen  në dokumente që ki me i  përdorë për  raport.
 Dhe tmerri nuk përfundon me kaq tani është zilja e telefonit që ju tërheq vëmendjen dhe në të dëgjon zërin e mësueses së kopshtit e cila ju tregon se fëmija juaj ka filluar të qaj dhe nuk donë të qëndroj  në kopsht, donë patjetër që ju ti flisni në telefon.

Tani nga t‘ia mbani?? Ja kjo është bota në të cilën po jetojmë sot, edhe kjo krejt që ne e kemi imagjinuar është një situatë  tepër stresuese, nëpër të cilën mundë të kaloni ende pa arritur ora 09:00 e mëngjesit.
Çka është stresi ? Stresi është gjendje psikike e shkaktuar nga ndikimi i jashtëzakonshëm i një ngacmuesi të papritur dhe të rrezikshëm për  njeriun e qenien e tij. Kjo gjendje zgjat shumë dhe individi bën orvatje të posaçme  për  tu rikthyer.

Reagimi i njeriut në situata të tilla definohet si stres ndërsa situata që e shkakton stresin quhet stresor. Stresoret mundë të jenë:  fizik, organik, social dhe psikikë.
Në vazhdim po japim edhe disa definime për stresin nga autorë të ndryshëm :
“Stresi lind kur individët perceptojnë se ata nuk mund të përballen në mënyrë adekuate me kërkesat e bëra për ta, ose me kërcënimet ndaj mirëqenies se tyre”.

Ne e përkufizojmë stresin si gjithçka që ushtron kërkesat  ndaj nesh , të cilave ne duhet t’u përshtatemi. Këto kërkesa mundë të jenë të vështira  për aftësitë tona . Stresi  përfshin kërcënimet ndaj mirëqenës sonë, presionet dhe ndryshime të tjera të cilat kërkojnë që ne të përshtatemi në situata të reja
Pothuajse të gjithë ne, në një formë ose tjetër ballafaqohemi ose jemi ballafaquar me të, pasi stresi është i pashmangshëm gjatë periudhës jetësore. Mirëpo, sa herë që përmendet ky nocion, shumica e njerëzve krijojnë një imazh të gabuar, duke e lidhur atë gjithnjë me përjetime negative. Sidoqoftë stresi ka anën e vet të mirë dhe të keqe.

 Në fakt psikologjia njehë dy lloj stresesh: stresin negativ ose të dëmshëm - distresin, si dhe stresin pozitiv ose të dobishëm - eustresin. Stresi negativ apo distresi mund të ndikojë në ndjenjat e mosbesimit, refuzimit, zemërimit dhe depresionit, e cila mund të cojë në probleme shëndetësore të tilla si dhimbje koke, stomaku, pagjumësi, ulcerat, presionin e lartë të gjakut, sëmundjet e zemrës dhe goditje në tru, ndërsa eustresi mund të ndihmojë të na detyrojnë të veprojmë; mund të rezultojë në një vetëdisim dhe perspektivë të re emocionale.

Secili nga ne bënë një jete të ngjeshur duke filluar nga presioni i kohës, oraret e ngarkuara, shqetësimet familjare e shoqërore, mungesa e infrastrukturës, problemet e komunikimit, konfliktet, frustracionet etj.  Që janë ndër faktorë kryesor që ushtrojnë presion ndaj nesh e të cilave ne duhet tu përshtatemi. Këto kërkesa nganjëherë mund të jenë të vështira për tu përballuar nga aftësitë tona, dhe mos përmbushja e tyre e mban organizmin në tension të vazhdueshëm dhe kërcenim për mirëqenien tonë.
Menaxhimi i stresit stresit duhet filluar nga identifikimi i shkaqeve prej të cilave vjen stresi, duke e kuptuar dhe pranuar nëse mund ta kontrollosh apo jo dhe duke mësuar aftësitë manaxhuese të tij.
Me qëllim që të jetojmë me stresin në mënyrë të efektshme ne duhet të ndryshojmë veten tonë, të bazohemi kryesisht tek veset tona,  tek arsyet dhe qëndrimet tona në lidhje me gjërat dhe njerëzit rreth nesh. Kjo gjë nuk është e lehtë sepse shumëkush prej nesh më të lehtë e kanë të fajësojë dikë apo diçka se sa veten.

Ka shumë mënyra të cilat ne mund ti përdorim për të menaxhuar stresin, të cilat  mënyra do të na ndihmojnë që të qëndrojnë të qetë dhe efektiv, por ne do ti paraqesim disa nga to:
Strategjia I. Shmangeni stresin e panevojshëm

Jo gjithnjë stresit duhet t’ju shmangemi, dhe kjo nuk është e shëndetshme që t’ju shmangemi plotësisht situatave stresuese por duhet të ballafaqoheni me to.
Mëso  për të thënë "jo”. Qoftë në jetën personale apo profesionale thuaj njerëzve “ jo” dhe mos prano punë më shumë se sa që ki kapacitet për të kryer, mos vepro vetëm për të kënaqur të tjerët dhe stresuar vetën, por dij kufijtë e tu dhe qëndro me to.

Shmangni njerëzit e stresuar.  Nëse dikush vazhdimisht shkakton stres në jetën tuaj, atëherë kufizoni sasinë e kohës që kaloni me atë person ose përfundoni marrëdhënien krejtësisht.

Strategjia II. Ndrysho situatën
Nëse ju nuk mundeni të shmangeni një situatës stresuese, përpiqeni për ta ndryshuar atë. Kupto se çfarë ju mund të bënit për të ndryshuar gjërat në mënyrë që problemi mos të paraqitet në të ardhmen.
Shpreheni ndjenjat e juaja.

Qani, qeshni, nervozohuni. Janë të gjitha shumë normale për një njeri. Sa më tepër emocione të mbani brenda vetes, aq më tepër do të stresoheni. Flisni me dikë për gjendjen tuaj dhe për diçka që ju shqetëson. Një ide tjetër është të kërkoni ndihmë konkrete për problemin tuaj. Të kërkoni këshilla, mendime, sugjerime. Ndoshta jo të gjithë do të jenë të gatshëm t’ju ndihmojnë, megjithatë nuk i dihet asnjëherë se kur mund të përballeni me një surprizë të këndshme. Nëse ju nuk i shpreheni ndjenjat tuaja, pakënaqësitë tuaja, atëherë situata do mbete e njëjtë.

Kontrollojeni ju mjedisin përreth dhe jo e kundërta. Duhet të dini që shpesh jeni vetë ju që vendosni për gjërat që bëni dhe mënyrën se si përballeni me to. Ka gjithmonë një mënyrë për të ndaluar së bëri të gjërave që ju mërzisin, ashtu siç ka edhe mënyra për të parë anët pozitive të gjërave që në pamje të parë duken si stresuese.

Supozojmë që jeni duke parë televizor dhe lajmet e ditës ju kanë ngritur nervat keq. Mjafton të bëni një nga këto dy gjëra: Të fikni televizorin ose të ndërroni kanal. Trafiku i rënduar ju streson gjithmonë? Shikoni anët pozitive të situatës. Është një moment i mirë për të reflektuar për jetën tuaj, ose për të dëgjuar muzikën e preferuar me zërin në maksimum.

Të njëjtën gjë mund të bëni edhe në një pozicion si drejtues biznesi. Nëse ndodh ndonjë gabim, nëse shitjet nuk shkojnë sipas parashikimit apo nëse punonjësit nuk kanë produktivitet të lartë, atëherë gjeni mundësinë e përfitimeve të mundshme nga këto situata. Nga gabimet mund të nxjerrësh gjithmonë mësime, ndërsa mund të rimendoni edhe mënyrën e shpërblimit të punonjësve dhe të krijoni rrugë të reja për motivimin e tyre.

Kujdesuni për menaxhimin e kohës. Shpesh do të kuptoni që një prej shkaktarëve kryesorë të stresit është mungesa e kohës në dispozicion për të bërë gjithçka që do brenda afateve të caktuara. Prandaj është e rëndësishme që në rast se jeni shumë të ngarkuar të mbani një axhendë me gjërat që duhet të bëni gjatë ditës.

Nëse gjithsesi koha nuk del për gjithçka, atëherë duhet të mësoni t’i jepni prioritet gjërave të caktuara. Mendoni se çfarë ka më tepër rëndësi për ju. A duhet të kaloni më tepër kohë në punë, apo me familjen? Mos merrni përsipër çdo detyrë në biznesin tuaj. Nëse jeni ju menaxheri, mësoni të delegoni disa detyra tek punonjësit e tjerë.

Duke prioritetizuar gjërat, atëherë të paktën disa prej tyre do t’i bëni siç duhet, pasi nuk do të keni më presionin e kohës së pamjaftueshme. Në rastin kur punoni me stres ngaqë nuk i bëni dot të gjitha, atëherë me shumë mundësi nuk bëni asgjë tamam. Përqendrohuni tek ato që kanë rëndësi më tepër për ju dhe dëshironi më shumë të bëni. Më pas, bëjini.

Mëso për të falur. Prano faktin se jetojmë në një botë të papërsosur dhe se njerëzit bëjnë gabime. Dhe duke u nisur nga e ndiejmë vetën më të  liruar nga energjia negative.

Strategjia III. Përshtatja me stresorët
Nëse ju nuk mund të ndryshon stresorin, ndrysho vetën,. Ju mund të përshtateni në situata të vështira  dhe të  rifitoni  ndjenjën tuaj të kontrollit duke ndryshuar qëndrimin tuaj.
Bëhu më pozitiv. Mundohuni për të parë situatat nga një perspektivë më pozitive.
Në vend se të zemëroheni në lidhje më një bllokim në trafik, shikojeni atë si një mundësi për nje pauzë, duke dëgjuar stacioni tuaj të preferuar në radio ose shfrytëzoni mundësinë për të qenë disa kohë vetëm.

Nëse ju shihni gjëra të mira për vetën tuaj, ju keni më shumë gjasa për të ndjehur mirë; e kundërta është gjithashtu e vërtetë. Eliminoni fjalët e tilla si “kurrë”, “ duhet “ dhe “ gjithmonë”.
Rregullo standardet tuaj. Perfeksionizmi është një burim i madhë i stresit, shumë herë dështojmë  duke kërkuar përsosmërinë. Vendos standarde të arsyeshme për veten tuaj dhe të tjerët dhe mëso të jeni në rregull  “me pak”

Strategjia IV: Pranoni gjërat që ju nuk mund të ndryshoni
Disa burime të stresit janë të pashmangshme. Ju nuk mund të pengoni ose të ndryshoni stresorët e tillë si vdekja e një të dashuri, një sëmundje serioze. Në raste të tilla, mënyra më e mirë për të përballuar stresin është që të pranojë gjërat ashtu si janë. Pranimi mund të jetë  i vështirë, por e zbut dhimbjen.

Mos u mundo të kontrollosh gjërat e pakontrolluara. Shumë gjëra në jetë janë përtej kontrollit tonë, veçanërisht sjelljen e njerëzve tjerë. Më mirë të përqendroheni në gjërat që ju mund ti kontrolloni si p.sh. mënyrën se si të reagoni ndaj problemeve se sa të fokusohemi në gjëra të pakontrolluara. Kur përballemi me sfida të mëdha, do të përpiqemi që ti shohim ato si një mundësi për rritje personale, sepse siç thonë, “ Çfarë nuk vrasin na bën më të fortë”.


Strategjia V. Miratoni një jetë të shëndetshme
Ju mund të rrisni rezistencën tuaj ndaj stresit duke forcuar shëndetin fizik
Ushtroni rregullisht .Aktiviteti fizik luan një rol kyç në reduktimin dhe parandalimin e efekteve të stresit. Bëni ushtrime  të paktën 30 minuta, tri herë në javë, kjo do të ndihmoj uljen e tensionit të stresit.

Ushqimi i mirë. Duhet të jeni të vetëdijshëm për atë se çfarë hani, për të mbajtur mbajeni energjinë tuaj lart dhe mendjen tuaj të pastër hani ushqim kalorik gjatë ditës.
Redukto kafeinën dhe sheqerin. Kafeina dhe sheqeri i tepërt shpesh sigurojnë që njeriu të pësojë ulje të humorit dhe të energjisë. Andaj duke reduktuar, ju do të ndiheni më të relaskuar dhe  do të flini më mirë.

Shmangeni alkoolin, drogën dhe duhanin. Konsumimi me këto mund të sigurojë një arratisje të lehtë nga stresi, por ky lehtësim është i përkohshëm. Sepse të gjitha këto do të ndikojnë në rritjen e stresit.










0 comments:

Post a Comment

 
Top