(KALLXO.com)
NGA
QËNDRESË MUSTAFA
Rreth 20 mijë biznese që nuk janë të pajisura me arka fiskale, nga tash mund të pajisen me to me çmime më të lira.
Kështu ka vendosur Ministria e Financave përmes një udhëzimit të ri i cili përveç që e ulë çmimin e arkave fiskale mundëson edhe heqjen e monopolit të krijuar për këtë proces.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti të premten në një konferencë për media tha se Udhëzimi Administrativ e ndërron furnizimin me arka dhe e bënë këtë proces më të lehtë.
“Heq përfundimisht monopolin që ka ekzistuar deri tash për furnizim me arka fiskale ku vetëm një kompani ka mbuluar 70 për qind të tregut dhe ka ofruar lloje të ndryshme të arkave fiskle”, ka thënë ministri i Financave Avdullah Hoti të premten në një konferencë për media.
Hoti tregoi se me udhëzimin e ri administrativ do të hiqet nga diskrecioni i ministrit lëshimi i lejeve për furnizim me arka fiskale.
“Kjo do të hiqet nga niveli politik dhe do të lihet në duart të ekspertëve të Administratës Tatimore", theksoi Hoti.
I pari i Ministrisë së Financave bëri të ditur se kompanitë e biznesit që do të aplikojnë për leje dhe licenca do të kenë lehtësira ndërsa tregoi se garancioni bankar nuk do të jetë sikurse ai i mëhershmi.
Me këtë udhëzim sipas Hotit janë përjashtuar nga pajisjet fiskale edhe shërbimet publike si dhe institucionet private që merren me aktivitete kulturore.
“I kemi përjashtuar shërbimet publike nga pajisja me arka fiskale në mënyrë që të mundësojmë që ne të mbledhim TVSH me rastin e pagesës së shërbimit publik shembull për energji, ngrohje ose ujë e jo t’i ngarkojmë ata në rastin e lëshimit të faturës përpara se të bëhet pagesa”, pohoi Hoti.
Por Shoqata e Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale që përbëhet nga tri kompanitë që kanë të drejtën e shitjes së këtyre pajisjeve kanë reaguar kundër vendimit të ministrit Avdulla Hoti.
“Ky udhëzim i ri nuk ka të bëjë me hapje të tregut për arka fiskale por është vetëm një tentim për të krijuar favore për grupe të biznesit që të sjellin pajisje fiskale në treg dhe të fiskalizojnë vetveten”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Sipas saj, zgjatja e periudhës së kontrollit teknik nga 1 në 2 vjet është favorizim i njërës kompani të licencuar pasi tri kompanitë tjera kanë numër më të vogël të arkave fiskale në treg dhe shpenzimet operative i mbulojnë pikërisht nga pagesat e kontrollave periodike.
“Me këtë ndryshim, këto tri kompani rrezikojnë të mbyllen pasi nuk do të kenë mundësi të ofrojnë këtë shërbim”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Fiskale.
Nga ana e tij, Ministri Hoti bëri të ditur edhe publikimin e dy udhëzimeve të reja duke treguar se njëri prej tyre ka vendosur disa stimulime për qytetarët që blejnë në kompanitë e pajisura me arka fiskale.
“Çdo tre muaj mund të dorëzojnë kuponët fiskalë në mënyrë që t'u kthehet një pjesë e TVSH-së”, tha Hoti.
0 comments:
Post a Comment