Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së pemtarisë “Molla”.

Nënkryetari Matoshi i ka përgëzuar përfaqësuesit e pemtarëve të Kamenicës për punën që po bëjnë dhe ka ofruar mbështetjen institucionale të komunës në realizimin e projekteve që ndërlidhen me pemëtarinë.

Faik Avdyli, drejtor i shoqatës, pasi ka falënderuar nënkryetarin Matoshi dhe kryetarin Sinani për vullnetin që ka treguar komuna që të bashkëpunojë me këtë shoqatë për herë të parë që nga themelimi i saj, ka folur edhe për sfidat që ata i kanë.

 “Shoqata është themeluar në shkurt të vitit 2008 dhe një kontribut për themelimin e saj e ka dhënë edhe organizata zvicerane “Intercooperation”.

Përmes kësaj organizate kemi kryer trajnime nga më të ndryshmet dhe jemi aftësuar për të punuar në këtë sektor. Kemi zhvilluar edhe vizita studimore në Shqipëri e Maqedoni. Aktualisht mund të llogarisim se në Kamenicë janë rreth 200 hektarë pemishte nga të cilat pjesa më e madhe janë me molla pastaj vijnë kumbullat dhe dardhat.

Nevojat e pemtarëve janë të mëdha dhe nga më të ndryshmet, duke filluar nga sistemet e ujitjes, burime të ujit, rrethoja,mekanizmat e tjerë dhe sidomos pemëtaria ka nevojë për depo për ruajtjen e mollave dhe frutave të tjera.” ka thënë Faik Avdyli drejtor i shoqatës.

Hazir Sijarina i cili ka të mbjella shtatë hektarë me molla, theksoi se problemi i mungesës së depove është më i rëndësishmi në këtë fushë. Ai theksoi se askush deri më tash nga institucionet nuk e ka vizituar plantacionin e tij.

Nënkryetari Matoshi së bashku me përfaqësuesit e shoqatës “Molla” u dakorduan që gjatë këtij viti të bëhen disa aktivitete me kultivuesit e pemëve siç mund të jenë Dita e Mollës dhe ekspozimi i produkteve kamenicase gjatë kësaj dite në qendër të qytetit. Poashtu komuna do të shqyrtojë mundësitë për të mbështetur financiarisht këtë sektor ndërsa do të ketë angazhime të përbashkëta për të aplikuar në projekte nga organizata të ndryshme që mbështesin këtë fushë.

Në takim u fol edhe për aplikimet e pemëtarëve në fondet e Ministrisë së Bujqësisë ku këtë vit do të ketë subvencione me nga 400 euro për një hektar.

0 comments:

Post a Comment

 
Top