Arif Maloku, bashkëluftëtar i Agim Ramadanit dhe Sali Çekut, në rrëfimin e tij për luftën e UÇK-së në Koshare dhe thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, sot në pjesën e tretë tregon përfundimisht se si triumfuan Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe njësia “COBRA”.

Ai tregon se komandant Naseri ka kërkuar që të vendosen në atë pozicion ku ai do të dërgojë ushtarë në përforcim. “Unë isha i vetëm në pozicion në mbrojtje të objektit që kish kaluar tashmë në duart tona, e në anën e sipërme ushtarët e këmbësorisë për çështje sigurie e pastronin atë pjesë të terrenit, me ç’rast kanë shti me armë të zjarrit në drejtim ku isha unë dhe më pas kam kërkuar me zë të lartë nga komandanti i tyre që mos të shtien se jam unë Arif Maloku, pjesëtar i “COBRAVE” në atë pozicion. Atë natë pa ushqim dhe pa ndërrim fare kam qëndruar në pozicion deri ditën e nesërme në ora 8:00, e më pas kishte ardhur një ushtarë të cilit nuk ia di emrin që e kishte dërguar Naseri”, thotë ai.

Maloku thekson se, më 11 prill nga komandant Naseri në bashkëpunim me Agimin është kërkua që ai të vazhdojë të mbetet po në atë pozicion pasi që kishte pamje të mirë për mbrojtjen e objektit dhe ishin të bindur se do ta kryej detyrën me sinqeritet të lart.

“Luftimet dhe granatimet kanë vazhduar edhe me 11 prill, mirëpo në Rrasë të Koshares dhe kah krahu i djathtë dëgjoheshin luftime granatime të fuqishme edhe përkundër se ne ishim me një numër të vogël dhe rezistonim fuqishëm duke mos u zmbrapsur, sepse forcat serbe tentonin ti rikthenin pozicionet dhe objektin. Rreth mesnatës “COBRAT” kanë sjellë në objektin e Koshares një trup të vrarë, mua personalisht më ka njoftuar Isni Rama-Raketa dhe Demush Gacaferri se është vrarë Agimi”, tregon luftëtari.

Ai rrëfen se me 12 prill si çdo ditë tjetër, herët në mëngjes fillonin luftimet. “Unë e dëgjova zërin e Demushit duke kërkuar ndihmë pasi që ishin plagosur nga predhat e artilerisë serbe. Me të arritur të plagosurit Qamil Jasiqi dhe Demush Gacaferri si dhe Arben Sejdiu, unë me Fadilin- Mortaja kemi përgatitur me thika disa drunë në formë të shkopinjve për tërheqjen e të plagosurve ku më parë i kishim marr masat për ndërprerjen e gjakderdhjes nga plagët e marra. Ne deri te Përroi i Koshares kemi bërë tërheqjen e tyre ku aty kanë arritur edhe bashkëluftëtaret tanë që shërbenin në kuadër të policisë ushtarake, pasi që kishin sjell barelat për tërheqje. Tërheqjen e kishim më lehtë ku bashkërisht E kemi bërë deri te baza e fundit e jona, para thyerjes së kufirit, tek shtëpia e Sadikut. Aty Fadili e ka sjell një veturë që kishim marr nga ushtria serbe dhe i ka marr dy të plagosurit dhe i ka nisë për në spital të Bajram Currit. Me ta ka qenë dhe doktori Afrim Sylejmani. Posa i kemi dërgua në spital menjëherë jemi kthyer mbrapa për tu ndalur së pari te komandant Rrustemi që i shprehem ngushëllimet e para për vrasjen e komandant Agimit dhe të rënët tjerë”, tregon ai.

Ai thotë se në ato momente kërkesa e Rrustemit ishte e njëjtë me atë të Saliut që sa më parë të kthehen që të mbrojnë tokën ku u derdh gjaku i Agimit dhe dëshmoreve tjerë.

“Më 13 prill ‘99 ju kemi bashkangjitur Naserit herët në mëngjes jemi ngjit në Rrase të Koshares ku na ka pritur komandant Saliu dhe ka kërkuar prej neve që njëkohësisht të vëzhgojmë terrenin dhe të bëjmë vlerësimin sa mundemi të futemi në brendi, deri sa i ofroheshim pozicioneve në Zharre.

I vërenim gjurmët se si kishin bërë tërheqjen e të vrarëve dhe të plagosurve forcat serbe, pasi që kishim detyrë vëzhgimi edhe pse kishim mundësin ti sulmojmë forcat serbe, mirëpo pasi që radiolidhja nuk na funksiononte se ishte një distance ku mungonin valët në vendosem që ta zbatojmë urdhrin e komandant Saliut, dhe pa u vërejtur nga forcat serbe jemi kthyer në Rras te Saliu për ta njoftuar për çdo gjë që kemi vërejtur. Derisa ne ishim në vëzhgim Saliu me shokë zhvillonte luftime të fuqishme në Rrase të Koshares ku me tu kthyer, ne ju kem bashkangjitur luftimeve”, rrëfehet ai.

Luftëtari tregon se me 15 prill ‘99 një pjesë e “COBRAVE” kanë qëndruar në mbrojtje të pozicioneve përball minahedhësve dhe një pjesë tjetër me Naserin kanë vazhdua në drejtim të kronit të Botoshes ku janë përball me forcat serbe në luftime.

“Armiku donte të na mbaj nën presion duke na sulmuar e garantuar që ne të lodhemi, mirëpo vullneti e gatishmëria për ta liruar vendin nga armiku më barbar serb nuk mungonte në mesin e ushtarëve tan. Dita e 16 prillit ishte një ditë sa e lavdishme për ne aq edhe e dhimbshme, gjatë luftimeve, forcat barbare serbe tentonin që ti tërhiqnin kufomat ushtarëve të vrarë gjatë ditëve të mëparshme, mirëpo edhe kjo ditë ju kushtoj me dhjetëra ushtarë serb të vrarë dhe të plagosur.

Shumë shpejt është kërkua nga Saliu që Naserit ti bashkangjitëm unë ndërsa “COBRAT” tjerë të shkojnë me të. Unë dhe Naseri me disa ushtarë tjerë jemi nisur në drejtim të kroit ku veç tani zhvilloheshin luftimet në anën e majtë të Gomureve komandant Skënderin me ushtarët e vet, me të arritur në vijën e parë ku pritej nga krahu i djathtë i yni të arrije Saliu.

Aty kam vërejt se është i plagosur Skënderi dhe ishin disa ushtar duke i dhënë ndihmën e parë. Për një moment arrin edhe Saliu, dhe Milaim Mazreku që u vendosen në krahun e majtë timin. Ne mendonim se në drejtimin ku ishim nisë se janë forcat tona të vendosura, aty ishin shtrirë forcat serbe. Naseri kërkoj që të kemi kujdes se edhe nga ai drejtim po vinë plumbat në drejtimin tonë.

Në ndërkohë komandant Saliu ka kërkua nga unë që të shkoj të marr radiolidhjen nga Komandant Skënderi, kam marr radiolidhjen dhe jam kthyer prapë në pozicion pran Saliut dhe Milaimit ku me ne ishte dhe Naseri, deri sa hapej zjarr i fuqishëm nga dy anët në drejtimin tonë”, tregon ai.

Maloku thotë se komandant Saliu akoma ishe në dyshime se a janë forcat e UÇK-së apo ato serbe. Por, sipas tij, Milaimi pasi i kishte turbit i ka parë një grumbull ushtarë serb të vëshur edhe me helmeta dhe me shenja serbe, dhe përnjëherë ka dhënë sinjal që të hapin zjarr në drejtim të tyre që në atë moment i vritet armikut disa ushtar serb.

“Tashmë ishte e qartë vija e mbrojtjes dhe shtrirja e armikut që për neve ishtë shumë më lehtë. Në ndërkohë në drejtim timin, një largësi afërsisht 25-30 metra kam vërejtur pran një guri, një ushtar serb, se ka ngritur kokën dy herë ka shikua në drejtim timin, deri sa unë e prisje ta ngrit kokën prapë dhe momentin që e ka ngrit përnjëherë kam shti në të, por edhe ai në mua ku me ka qëlluar në nofull, gjegjësisht në pjesën e gojës.

Ndihmën e parë e kam marrë nga Milaim Mazreku përderisa Naseri me Saliun dhe shokët kanë vazhduar luftimet. Unë nuk isha akoma njohuri se a kemi ndonjë ushtar tanin të vrare, porsa e kam marr ndihmën e pare më kanë drejtuar për në Kazermën e Koshares ku menjëherë me një veturë me kanë dërgua në Bajram Curr, në spitalin ushtarak. Aty kam marr trajtimin e mëtejshëm mjekësor dhe të nesërmen më kanë dërguar për në spitalin ushtarak të Tiranës”, tregon ai.

Ai tregon se si e ka kuptuar edhe vdekjen e djalit të axhës së tij. “Më 18 prill unë ekuptova se kushëriri im i dashur, djali axhës Fadili, po atë ditë kur unë isha plagosur, ai kishte rënë dëshmorë në vijën e parë të mbrojtjes, për të cilin do të flasin shokët që ishin ato qaste pran tij.

Kjo ishte një humbje dhe dhimbje e madhe si për mua, familjen Maloku, poashtu dhe për të gjithë ata që e njohën Fadilin si një trim të rrallë e të gatshëm për çdo gjë, vetëm se vendit të vet ti sjellë lirinë”, tregon Maloku duke shtuar së më pas për trajtim mjekësor e kanë oreientuar në Spitalin Austriak.

“Ky ishte një rrëfim i shkurtër i imi, ku shpresoj se në të ardhmen bashkërisht me shokët do të përmbledhim rrëfimet në detaje, ashtu si janë zhvilluar luftimet e jo si kemi dëshirë. Për kohen e luftës jam tejet i kënaqur me atë që na ofroj lufta ku ndiheshim si një familje, e për kohën që jem tani do t’i mbetet secilit në ndërgjegjen e vetë”, përfundon rrëfimin e tij luftëtari i njësisë “COBRA”, Arif Maloku. FUND

0 comments:

Post a Comment

 
Top