Edhe këtë vit Kosovën e ka përcjellë një gjendje e rëndë sociale. Rreth 40 për qind e popullsisë vazhdojnë të jenë të varfër, ndërsa 10.2 për qind e tyre jetojnë në varfëri ekstreme.

Se me çfarë gjendje përballen një pjesë e madhe e këtij vendi, më qartë se kushdo e pasqyron gjendja në të cilën jetojnë një numër i madh i familjeve kosovare. Në gjendje të mjerueshme vazhdojnë të jetojnë tash e sa vite familjet Gashi dhe Osmani në Mitrovicë, të cilët janë braktisur pothuajse nga të gjithë.

Familja Gashi e cila vjen nga veriu i Mitrovicës, prej ku janë detyruar që në kohën e luftës ta braktisin banesën që kishin në pjesën veriore, jetojnë në kushte tejet të vështira. Ata tregojnë për Kosovapress, se tashmë atyre u mohohet e drejta për tu kthyer në shtëpinë e tyre, pasi që aty tani ka banorë serb.

Me një pension prej 80 euro, Nimon Gashi jeton së bashku me bashkëshortën dhe tre fëmijët në disa lokale të lëshuara nga Komuna në Mitrovicë. Atyre u mungojnë edhe gjërat elementare për jetesë.

“I kam tre fëmijë, me bashkëshorten jetoj që tetë vite këtu, fëmija shkojnë në shkollë të tretë, më i madhi është trembëdhjetë vjeçar, tjetri dymbëdhjetë, vajza shtatë vjet. Këtu hanë këtu pinë këtu mësojnë e krejt. Disa flenë në shtrat disa në sfungjerë, jetojmë me një ndihmë sociale 85 euro ka qenë tash na e kanë bërë 80. As një jave nuk na mjaftojnë ato para, fëmijët po duhet t’i veshim e t’i mbathim, tu japim me hanger e me pi, me këto 80 euro, 5 anëtarë jemi”, thotë ai.

Ata pohojnë se askush nuk ju del në ndihmë, askush nuk i viziton dhe nuk kanë qenë pjesë e ndonjë ndihme humanitare. Edhe Maliqja, nënë e tre fëmijëve, rrëfen për vështirësitë në të cilat ajo has çdo ditë, për t’i ushqyer fëmijët e saj.

“Kurrë komuna nuk ka ardhur me na vizitu, qetash bile kur kenë para balotazhit, kryetari i Komunës tha që s’ju pëlqen edhe këtu dilni lëshone. Kah me shku na? Nuk kemi kah shkojmë, unë tash me pas ku me shku nuk rri këtu hiç, po në barakë jena kanë.....Ju kanë ndihmu atyne që i kanë pas të njofshëm, neve jo, se na nuk kena, neve nuk na ka ndihmu kërkush, i kanë ndihmu kujt ka pas të njofshëm ja kanë ndërtu shtëpinë edhe që ska pas hic, ja kanë falë tokën ja kanë ndërtu shtëpinë, a neve jo, e bash në qatë pjesë jena, banesën atje, shkau rrin në të, as nuk marrim qera as sen, me qetë social jetojmë, kurgjo, krejt qeto çka po i shihni të falna i kemi, çka na i kanë falë”, thotë ajo.

Ata thonë se kanë aplikuar shumë herë për të kthyer pronën që ju takon në veri, por çdo herë pa sukses, dhe të neglizhuar nga komuna.

Familja Gashi lutet për ndihmë, nga çdo kush që ka mundësi t’i nxjerr pak a shumë nga kjo gjendje.

“Kush ndihmon, Allahu e shpërbleftë, edhe ata që janë jashtë e këtu, kush e shesh kush ka zemër , mirë bon boll me na ndihmu, jo veç mu po kush ka qesi rasti, unë ja besoj çdo njanit, ai qe s’ka ja besoj, keq jena boll”, thonë ata.

Edhe familja Osmani gjithashtu nga veriu i Mitrovicës, lufton për të siguruar ekzistencën. Ata tash dy vite e gjysmë jetojnë në një lokal, të cilët kanë arritur përmes rrethit bamirës të sigurojnë një pjesë të tokës në pjesën veriore të Mitrovicës, por fatkeqësisht nuk kanë mundësi të ndërtojnë shtëpi aty.

Bahrie Osmani rrëfen për Kosovapress, se bashkëshorti i saj Lulëzim Osmani është invalid i luftës dhe i paaftë që të punojë, andaj ata jetojnë së bashku me dy vajzat, me 95 euro pension të invalidit.
Ajo të gjithë fajin e bartë në komunën e Mitrovicës, që sipas saj ata duhet të ndjehen në turp për faktin se si i lejojnë sa e sa familje të jetojnë në varfëri ekstreme.

“Ftoht valla, siç e shihni edhe tash qeshtu njëjtë është, kur ska rrymë është edhe më ftohtë, këtë nuk mundemi as me e dhez se oxhak nuk ka, bëhet tym, qetu me këtë grialicë qysh të mujna, po kur nuk po ju vjen marre këtyre që janë më të nalt, edhe na dojna me duru qeshtu, bile Zoti na sheh, nashta njaherë na qetë ne dritë, këta duhet me u turpënue qysh me i lanë njerëzit në ketë gjendje, marre është për ta, se edhe unë nashta me pas shokun te shnosh, mos me kanë i plaguam i kisha rritë vet, sikur tjerët po fati ka qenë qashtu u plagu gjatë luftës edhe qe ku jena metë tash”, thotë ajo.

Ajo ju bënë lutje të gjithë njerëzve bamirës që t’i ndihmojnë në ndërtimin e shtëpisë. Për të mjafton që fëmijët të kenë një shtëpi dhe ngrohje.

“Ju kisha lutë ai që ka, që mundet me i ndihmu dikujt, bile qajo shtëpi mu ndërtu, hajde krejt kto tjerat pi lana anash bile qajo shtëpi me kanë , me pas nxehtë fëmijët, një kulm mbi kokë edhe tjetër...se di”, thotë ajo.

Ndryshe, në Kosovë numri i rasteve sociale edhe për këtë vit ka qenë i madhë, edhe pse krahasuar me vitin paraprak numri i familjeve që shfrytëzojnë asistencë sociale ka rënë në 29 mijë e 633 nga 30 mijë e 697 familje sa kanë qenë në vitin 2012.

Megjithatë, sipas këshilltarit të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, viti 2013 shënon uljen e rasteve sociale. Ai thotë për Kosovapress, se këtë vit MPMS ka punuar shumë drejtë punësimit të shumë personave që kanë qenë shfrytëzues të asistencës sociale.

“Konkretisht viti 2013 mund të themi se nuk ka qenë aq shumë i rënduar sa i përket shfrytëzuesve të kategorisë së asistencës sociale, për vet faktin se kemi pasur një numër të pilot-projekteve që janë bërë qoftë nga ana e Ministrisë së Punës, me partnerë siç është në këtë rast me UNDP, me Komisionin Evropian, pasi që këto projekte kanë ndikuar në një masë të madhe në uljen apo zbutjen e shkallës së papunësisë në vend. Në mënyrë që, sidomos prioritet kryesor ka qenë dhe është kushtuar atyre rasteve dhe atyre familjeve që kanë qenë shfrytëzues te familjeve me asistencë sociale në mënyrë që më e drejtë do të ishte dhe më e drejtë që të shikohet një punësim i përkohshëm sesa adresimi për marrjen e skemës së asistencës sociale që varësisht prej numrit të anëtarëve të familjes është i përcaktuar edhe numri i saj”, thotë ai.

Përkundër kësaj, sekretarja e përgjithshme në Kryqin e Kuq të Kosovës, Feride Hyseni, thotë për Kosovapress, se numri i familjeve në nevojë vetëm sa vjen e shtohet.

“Në Kryqin e Kuq të Kosovës lirisht mund të themi se po shtohet numri, kategoria e pensionistëve që për një shoqëri të zhvilluar nuk duhet me qenë problem social , është problem, sepse ju e dini sa janë pensionet qofshin ato të moshës ose tatim paguesve, dhe në atë moshë njeriu përveç që i duhet ushqimi e të tjerat ka nevojë edhe për barna e shumë gjëra”, thotë ajo.

Ajo pohoi se Kryqi i Kuq është në dijeni se ka rreth 17 mijë familje nevojtare, dhe se gjatë vitit 2013 kanë ndihmuar gjithsej 5 mijë prej tyre.

Dhe, sipas saj Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk e përkrah dhe nuk bashkëpunon me Kryqin e Kuq. Ajo kërkon partneritet me këtë ministri në mbështetjen e projekteve të nevojshme për popullatën.

Por, Behxhet Gaxhiqi nga MPMS demanton këto pohime. Ai shprehet i habitur me akuzat që Kryqi i Kuq ka bërë në drejtim të MPMS, Gaxhiqi madje thotë se nuk është në dijeni nëse ka pasur ndonjë rast për bashkëpunim dhe është refuzuar nga kjo ministri.

Ai thotë se janë të hapur për bashkëpunim jo vetëm me Kryqin e Kuq por me të gjitha institucionet të cilat shprehin gatishmëri të bashkëpunojmë me ta. Kjo sipas tij vetëm sa do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e rasteve sociale.

Ndërsa, Jeton Mehmeti drejtor i hulumtimeve në Institutin për Hulumtime të Avancuara(GAP), thotë për Kosovapress se në të gjithë Kosovën është shpërndarë niveli i varfërisë dhe se për të pasur ndryshime, sipas tij duhen politika më të shëndosha sociale.

“Fakti se rreth 35 mijë familje jetojnë nën skemën e asistencës sociale, tregon se niveli i varfërisë është i shpërndarë në të gjithë Kosovën dhe për të dalur nga kjo gjendje duhen politika më të shëndosha sociale si dhe një strategji më konkrete e punësimit në vend”,thotë ai.

Gjithashtu, ai pohon se kategoria më e rrezikuar janë të rinjtë, të cilët sipas tij përbëjnë 73% të të papunëve./Gentiana Kadria

0 comments:

Post a Comment

 
Top