Gjyqtarët po pinë tinëz duhan në punë!
Ata do të duhej të ishin shembull për të tjerët, si njerëzit që respektojnë ligjin deri në skajshmëri. Por monitorimi tre mujor, nxjerr në fytyrë tjetër të tyre. Këta janë gjyqtarët dhe personeli i Gjykatave Themelore në tërë vendin.
Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim (KADC) ka monitoruar gjykatat e vendit në periudhën gusht-tetor 2013, se sa ata e respektojnë Ligjin për Ndalimin e Pirjes së Duhanit në ambientet e brendshme të këtyre institucioneve.
Njëkohësisht është monitoruar edhe nëse janë vendosur të gjitha sinjalizimet në funksion të zbatimit të këtij ligji. Rezultatet në fund s’kanë dal shumë të mira.
Nga monitorimi del se tymosja e duhanit në ndërtesat e gjykatave nuk është kudo e ndaluar plotësisht.
Madje në raportin tridhjetë faqesh e me plot detaje, rezulton se vetë gjyqtarët dhe personeli i gjykatave tymosin duhan në zyrat e tyre, duke demonstruar në mënyrë të qartë mungesën e sundimit të ligjit në hapësirat e gjykatës.
Monitorimi sistematik për zbatimin e ligjit për kontrollin e duhanit është kryer nga KADC-ja në shtatë gjykatat themelore të Kosovës - Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Monitorimi është realizuar përmes dy metodave. Metoda e parë ka qenë metoda e vrojtimit si metodë e drejtpërdrejtë në vlerësimin e respektimit dhe zbatimit të ligjit përmes vizitave të pa paralajmëruara në gjykata.
Metoda e dytë e monitorimit është realizuar përmes zhvillimit të intervistimit të drejtpërdrejtë të personelit administrativ dhe gjyqtarëve (gjithsej 66) mbi zbatimin e ligjit në vendin e punës dhe përcjelljes së procedurave dhe numrit të lëndëve të kundërvajtjes të iniciuara nga organet mbikëqyrëse të parapara me ligj.
Kështu, raporti thekson se në Gjykatën Themelore në Prishtinë në zyrën e një gjyqtari dhe dy zyre të divizionit për kundërvajtje është nuhatur aroma e duhanit ndërkaq roja e ndërtesës është vërejtur dy herë duke pirë duhan brenda gjykatës.
Në Gjykatën Themelore në Gjilan në zyrën e një gjyqtari është vërejtur tymi i duhanit. Dokumenti saktëson se në Gjykatën Supreme hapësira e kuzhinës përdoret si hapësirë për pirje të duhanit nga gjyqtarët dhe personeli i gjykatave, veprim i cili përbën shkelje flagrante të Ligjit për kontrollin e duhanit.
Në zyrën e administratorit në gjykatën themelore në Pejë, pa prezencën e administratorit, por në prezencë të ndihmës administratorit dhe zyrtarëve të tjerë administrativë, është vërejtur tymi i duhanit. (ORAinfo)
0 comments:
Post a Comment