Kanë mbi 18 vjet që jetojnë në Kosovë, por të drejtën për t’u pajisur me dokumente dhe të marrin nënshtetësinë kosovare banorët e Luginës së Preshevës e kanë të kufizuar.
Vetëm në Gjilan jetojnë, punojnë dhe shkollohen shumë shqiptarë të zhvendosur nga Lugina e Preshevës. Të drejtat e tyre në tri komunat me shumicë shqiptare në Medvegjë, Bujanoc, Preshevë po shkelen nga shteti serb dhe po injorohen nga shteti i Kosovës.
Miratimi nga Kuvendi i Kosovës i Rezolutës lidhur me të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, nuk po zbatohet në tërësi.
Heqja e taksës prej 20 eurove për banorët e luginës, është pika e vetme që ka gjetur zbatim dhe figuron në rezolutë.
Ndërsa, pikat tjera sikurse vizitat e pushtetarëve kosovarë në Luginë dhe investimet e premtuara, të cilat janë dhe pikat më të kërkuara nga banorët shqiptarë në Serbi janë harruar (përjashtuar vetëm te vetmen vizitë nga ministrja Vlora Çitaku).
As zyrat në Prishtinë e Gjilan që do të punonin për t’u kujdesur për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, si dhe të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, nuk janë hapur.
Banorët e luginës ndihen të pa përkrahur nga qeveria e Kosovës.
Lugina e Preshevës apel: Të mos na harrojë Kosova
Jonuz Musliu, kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që të mos lihen në harresë shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Musliu është shprehur tejet i pakënaqur lidhur me (mos) zbatimin e Rezolutës për të drejtat elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të miratuar në qershor të këtij viti.
Sipas tij, kjo rezolutë nuk është duke u zbatuar. Mos serioziteti për ta implementuar këtë rezolutë, ai tha se është vërejtur edhe ditën e miratimit të saj në seancë, ku sipas tij u shfaq mungesë e kuorumit.
Musliu ka thënë se kjo rezolutë është hapi i parë zyrtar i Republikës së Kosovës që u debatua për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.
“Por në Kuvend ku kishim dhe ne u pa moskourimi dhe joserioziteti i deputetëve që ta votojnë, ra në sy se Kosova nuk është ajo që kanë shpresuar shqiptarët e Luginës, pra një dorë e zgjatur për shqiptarët jashtë Kosovës”.
Musliu ka thënë se shqiptarëve të Luginës po iu hyhet në hak, pasi ata ishin krah për krah në të gjitha zhvillimet e bëra për pavarësinë e Kosovës, duke shpresuar një ditë që Kosova do të jetë krah për Luginën e Preshevës dhe do ta marrin “nën sqetull”./Anita Kadriu
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment