Jusuf Buxhovi është një prej themeluesve të LDK-së. Ai është i pari që ka hedhur në letër shkronjat e para të statutit të LDK-së. Pra prej dorës së tij “ka lindur” LDK-ja e cila më pas nën drejtimin e dr.Ibrahim Rugovës kjo parti u shndërrua në lëvizje politike për liri, demokraci e pavarësi të Kosovës.

Në këtë intervistë, Jusuf Buxhovi për herë të parë shfleton detaje të themelimit të LDK-së para 24 vjetësh dhe për lexuesit gazetës “Bota sot” sjell detaje të rrugëtimit të LDK-së prej themelimit e deri në ditët e sotme.

Në një intervistë për Bota sot, i pyetur se si e kujtoni ardhjen e Ibrahim Rugovës në krye të saj, Jusuf Buxhovi është përgjigjur: Siç e kam theksuar edhe në librin “Kthesa historike” , ardhja e dr. Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte më shumë se çështje organizative e një partie në themelim, që doemos lidhej me pozitën e kryetarit që do ta drejtonte atë.

Them kështu, sepse angazhimi i dr. Rugovës, në të vërtetë plotësonte dy parakushte tepër të rëndësishme, me të cilat do të konsolidohej lëvizja jonë. Së pari atë të profilizimit perëndimor, që duhej ta kishte partia, dhe së dyti të kursit antikomunist, kur ky që, jo vetëm se e kërkonin amerikanët dhe gjermanët, por ishte edhe pjesë e të menduarit tonë intelektual, që kishte të bënte me frymën e një kthese historike, e cila tashmë kishte nisur në Lindje dhe pas rënies së Murit të Berlinit duhej të kthehej edhe në moto të kërkesave tona.

 Në këto dy pika dr. Rugova paraqiste emëruesin e përbashkët, që si do të shihet lëvizjes do t’i kthehej në favor të madh. Natyrisht se për ta pranuar këtë pozitë, dr. Rugova, duhej të kishte edhe miratimin e amerikanëve, që iu dha pa ndonjë hezitim, ngaqë ata prej kohësh Rugovën e kishin kthyer në një “referencë” të tillë./Bota sot/

0 comments:

Post a Comment

 
Top