Ishte menduar bukur, që për sigurinë së paku në lagjet e veta, përgjegjësinë ta marrin edhe vetë banorët. Së paku duke qenë bashkëpunues me organet e rendit, sepse Policia si e vetme, shumë pak mund të bëjë. Projekti “Policia në bashkësi” një praktikë që funksionon moti në vendet perëndimore, te ne po shkon shumë ngadalë.
Strategjia e tillë ka nisur që në vitin 2012 pritet të kompletohet në vitin 2016 dhe për qëllim ka organizimin më të mirë të lagjeve në aspektin e rritjes së bashkëpunimit me policinë, sa i përket sigurisë. Në parandalimin e krimit dhe në ngritjen e shqetësimeve që i kanë qytetarët nëpër lagjet e tyre.
Sipas zëdhënësit të policisë, Brahim Sadriu, në vitin e parë të implementimit të kësaj strategjie janë kryer disa punë. Është kryer faza e trajnimit të policëve dhe ndarja sektoriale dhe kjo është duke funksionuar, edhe pse, normalisht, ka vështirësi sepse kjo është një qasje e re e punës dhe që kërkon shumë staf e investime, mirëpo, sipas tij, “deri tash është duke shkuar mirë” .
Sipas tij, filozofia e kësaj nuk është që secila lagje ta ketë policin e vet, por që një stacion i policisë të ndahet në disa sektorë që mbulojnë një zonë të caktuar.
“Sektori e ka shefin edhe zyrtarët policorë që kanë zonën e përgjegjësisë si për shembull lagjen “Bregu i diellit” etj.
Ata janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, i marrin shqetësimet e tyre, mbajnë dosje për banorët në atë zonë, për kategoritë e veprave penale që kryhen në atë zonë, për numrin e veprave të zbuluara dhe të pazbuluara dhe obligime të tjera të ngjashme për sigurinë në atë bashkësi”, është shprehur Sadriu.
Me një fjalë, qëllimi është që të gjithë të bëhen pjesëmarrës në ofrimin e sigurisë, përfshirë banorët e lagjeve dhe policinë. Që banorët kur t’i identifikojnë problemet në rrethin ku jetojnë i lajmërojnë ato.
Reduktimi dhe parandalimi i krimit, më së miri mund të luftohet nëse të gjithë qytetarët bëhen “policë”, normalisht, jo me uniformë, por duke lajmëruar policinë për çdo parregullsi dhe problem që u paraqitet./Tahir Lushi
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment