Zbatimi i SWIFT kodit bankar të Republikës së Kosovës nga institucionet financiare në vend po zbatohet me vështirësi, pasi disa banka korrespondente në shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, ende nuk e kanë zëvendësuar kodin e vjetër, gjë që po paraqet vonesa në transaksionet ndërkombëtare.
Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror, e njohur me shkurtesën SWIFT, ka caktuar një kod të veçantë shtetëror për t’u përdorur në lidhje me identifikimin e institucioneve financiare të Republikës së Kosovës.
SWIFT kodi i Kosovës, ka filluar të zbatohet nga 9 dhjetori i këtij muaji. Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe bankat komerciale në vend kanë kode individuale, të cilat i kanë publikuar në ueb faqet e tyre zyrtare.
Banka Raiffaisen, më kohë ka njoftuar të gjitha institucionet financiare korrespondente por edhe klientët për ndryshimin e kodit.
Megjithatë, pas kësaj periudhe ka pasur disa ankesa të klientëve për vonesa të pagesave që vijnë nga jashtë, thotë Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në Raiffeisen Bank në Prishtinë, duke shtuar se të gjitha pagesat ndërkombëtare dalëse janë realizuar me sukses.
“Problem që ne kemi hasur gjatë kësaj periudhe, është sa i përket pagesave hyrëse (pagesave që vijnë nga jashtë). Ka pasur raste kur disa nga bankat ndërkombëtare edhe pse paraprakisht janë njoftuar nga banka jonë nuk e kanë ndryshuar SWIFT kodin dhe e kanë vazhduar të përdorin SWIFT kodin e vjetër".
"Në këto raste nuk është realizuar transferi dhe klientët kanë filluar të ankohen dhe menjëherë kemi kontaktuar këto banka dhe kemi bërë ndryshimin e SWIFT", bën të ditur Tahiraj.
Në anën tjetër, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës nuk janë të informuar për problemet lidhur më zbatimin e SWIFT kodit, pasi deri më tani asnjë bankë komerciale nuk ka paraqitur ndonjë ankesë zyrtare në këtë institucion.
Florim Maxharraj, këshilltar i lartë i Bordit ekzekutiv për tregjet, instrumentet dhe infrastrukturën financiare në Bankën Qendrore të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se problemet në sistemin bankar në vend nuk ekzistojnë, por ato mund të jenë evidente në bankat urdhëruese jashtë shtetit të Kosovës.
“Kjo thjesht mund të jetë problem që kompanitë apo bankat urdhëruese jashtë shtetit, nuk e ka azhurnuar listën e vetë të kodeve. E vetmja gjë mund të jetë kjo. Sepse kodet e vjetra më nuk ekzistojnë dhe nuk janë funksionale. Do të thotë, arsyeja është se ato SWIFT kodet që kanë qenë në listat të bankave dhe kompanive të sigurimeve nuk janë azhurnuar ende prej tyre”, u shpreh Maxharraj.
Edhe Iliriana Tahiraj, pranon se nuk kanë dërguar ndonjë ankesë në BQK, pasi sipas saj, ky problem ka qenë në mes Raiffaisen Bankës me bankat përkatëse që kanë SWIFT kod.
Ajo tregon se menjëherë pas lajmërimit të bankave korrespondente për probleme, ato po ndryshojnë SWIFT kodin. “Mirëpo sa po i kontaktojmë, ato menjëherë ndryshojnë SWIFT kodin dhe realizohet transferi nga ana e klientit. Ne po besojmë se shumë shpejt edhe ky problem do të eliminohet dhe do të arrijmë që të gjitha bankat me të cilat ne bashkëpunojmë të përdorin SWIFT kodin e ri, dhe nuk do të ketë më vonesa në transferet nga ana e klientëve”, thekson Tahiraj.
Sidoqoftë, në mungesë të kodit të gjitha bankat që veprojnë në Kosovë është dashur të kenë një bankë korrespondente në perëndim, e cila gjithmonë ka shtuar koston e transaksioneve.
Kurse përdorimi i SWIFT kodit nga bankat komerciale që operojnë në vend, mundëson lehtësi për transferet dhe transaksionet ndërkombëtare, dhe njëkohësisht ul koston e transfereve ndërkombëtare
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment