Kanë filluar reagimet ndaj shtrenjtimit të mundshëm të energjisë elektrike, ndonëse ende nuk është marrë asnjë vendim për këtë. Sindikalistët, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe të shoqërisë civile, thonë se rritja e çmimit të energjisë do të vështirësojë jetën e qytetarëve, e njëkohësisht do të shtojë koston e prodhimit.
Paralajmërimet për shtrenjtim të mundshëm të energjisë elektrike në Kosovë, kanë nxitur reagimin e Sindikatave, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se shtrenjtimi i mundshëm i energjisë prej 1 prillit të këtij viti, do ta vështirësojë më tej jetën e familjeve me kushte të rënda ekonomike e sociale.
“Është e rrugës që në këtë gjendje që ndodhet popullata e Kosovës dhe punëtorët e Kosovës, me këto të ardhura personale dhe rritje të çmimeve të artikujve elementarë, një kosto e rrymës më e lartë është një diskriminim ndaj kësaj popullate”.
Ngritja e çmimit të energjisë, do të rëndojë edhe zhvillimin dhe funksionimin e biznesit vendor, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini.
“Neve na ka shqetësuar lajmi që është duke u diskutuar ngritja e çmimit dhe kështu do ta ngarkon edhe më shumë biznesin vendor. Ne do të tentojmë të mos lejojmë një gjë të tillë, të vije deri të rritja e çmimit të energjisë elektrike”.
Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë se Qeveria e Kosovës do duhej ta hiqte TVSH-në në energjinë elektrike dhe tantiemën në qymyr, në mënyrë që tarifat e energjisë të jenë të përballueshme. Derisa jo të mos ndodh, mund të ndodh shtrenjtimi i energjisë.
“Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shenja që do ta heqë tantiemën apo TVSH-në dhe kjo vetëm do ta rëndojë xhepin e qytetarëve, të cilët edhe ashtu në shumicën e familjeve, energjia përbën një prej shpenzimeve kryesore të shportës familjare”.
Nga ana tjetër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë elektrike në Kosovë është në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve të KEK-ut, KEDS-it dhe KOSTT-it dhe se pas analizimit të tyre, do të bëhet publik edhe propozimi i Rregullatorit. Pas kësaj do të pranohen komentet eventuale nga palët e interesit lidhur me tarifat e reja, thotë zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Myrtezaj – Bajrami.
“Aktualisht nuk mund të flasim për shtrenjtim, sepse ende nuk kanë përfunduar analizat dhe ende nuk është publikuar analiza përfundimtare e zyrës”.
Vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në muajin mars, ndërkaq ato do të hyjnë në fuqi nga data 1 prill. Ndërkohë ZRRE-ja ka publikuar një analizë për reformimin e strukturës tarifore në Kosovë, dhe për këtë javën e ardhshme pritet të mbajë një seancë publike.(RTK)
0 comments:
Post a Comment