Familja Jaha, me shumë fëmijë, një pjesë e të cilëve ende në Kosovë, janë lodhur duke jetuar si refugjatë e pa mundësi për një të ardhme. Fshati ka qenë shpresa e tyre dhe një shtëpi e vjetër e ndërtuar sikur të ishte prej balte. “Kemi jetuar në Prishtinë, por nuk kishte rrugëdalje dhe u kthyem. Duhet të punojmë dhe bëjmë ça të na dalë”, thotë Abedin Jaha, i kthyer në Medvegjë. Disa ndihma të vogla nga diaspora kanë rregulluar jetën e tyre sado pak. Ata tani kanë ujë të pijshëm dhe pak kafshë për të mbijetuar. Fshati Tupallë ka pasur dikur shumë banorë, por tani shtëpitë dhe njerëzit sikur fshihen njëra prej tjetrit. Por, për shqiptarët e kthyer më mirë është në vendin e tyre. “Në shtëpinë e vetë njeriu është më mirë. Më mirë rri në shtëpi sesa shkoj të kërkoj punë aty ku nuk ka”, thotë Azize Gashi, per, Top Channel.

Shqiptarët e Medvegjës, qytezë që ndodhet e veçuar prej shqiptarëve të tjerë që jetojnë në Serbi për rreth kufirit me Kosovën, e kanë braktisur shumë këtë zonë. Shkolla e fshatit më të madh dikur kishte qindra nxënës. Ata që jetojnë aty thonë se tensione etnike nuk ka shumë dhe kthimi do të ishte i mirë. “Nuk është e lehtë të jesh shqiptar në Medvegjë, por kur jemi të gjithë unik është më e lehtë. Po të ishim më shumë do ta kishim edhe më të lehtë, prandaj u bëjmë thirrje shqiptarëve që të kthehen”, deklaron Sokol Halimi nga Bashkësia Lokale Tupallë.

Shumica e shqiptarëve megjithatë kanë emigruar drejt vendeve të Perëndimit ose Kosovës./BujanociNet/

0 comments:

Post a Comment

 
Top