Një ngjarje humane ka ndodhur të premten në xhaminë e Shipolit në Mitrovicë, me ç’rast familja Syla nga Mitrovica i fali gjakun e djalit, familjes Hyseni. Më 28 janar në shkollën e mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë, kishte humbur jetën nxënësi Astrit Syla, si pasojë e plagëve të marra me thikë nga shoku tij i klasës.
Të pranishëm përveç shumë qytetarëve dhe klerikëve fetarë, ishte edhe Myftiu i Republikës së KosovëS, Naim Tërnava dhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“Për hatër të Allahut e fali gjakun e djalit dhe lus Zotin që ta rehatoj atë në xhenet”, ka thënë babai i të vrarit, Arsim Syla.

Ai ka falënderuar gjithë popullatën që e kanë mbështetur në momentet më të vështira, duke u lutur që raste të tilla të mos ndodhin më kurrë.

Imami i kësaj xhamie, Fatmir Latifi, i cili kishte ndërmjetësuar për faljen e gjakut, tha se ka akoma burra të cilët respektojnë vlerat e shqiptarisë.

“Ky gjak u fal për hatër të Allahut, për hatër të dëshmorëve, familjeve të të zhdukurve dhe të gjithë shqiptarisë. Lutem që kjo të jetë vrasja e fundit ndërmjet shqiptarëve”, ka thënë mes tjerash Latifi.

Myftiu i Republikës së Kosovë, Naim Tërnava, e ka cilësuar këtë si një ngjarje shumë të rëndësishme.

Ai ka porositur që shembullin e tillë ta ndjekin të gjitha familjet shqiptare që janë në hasmëri, kudo që ndodhen, raporton KP. “Është njerëzore, islame dhe burrërore të shtrish dorën e pajtimit, të bësh një akt kaq të dashur tek Allahu”, ka thënë mes tjerash Tërnava.

Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se shqiptarët si popull kanë ditur të menaxhojnë gjithmonë me situata të vështira me të cilat janë ballafaquar. /Telegrafi/

0 comments:

Post a Comment

 
Top