Një prej anëtarëve më të hershëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës, Muhamet Kelmendi, në emisionin Rubikon në KTV ka rikthyer historinë e kohës së themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kelmendi ka evokuar kohën e themelimit të celulave të para të UÇK-së duke zbardhur një detaj deri më tash të panjohur. Ai ka thënë se në kohën e themelimit të UÇK-së nuk ishin të pranishëm Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Sipas Kelmendit, këta dy i janë bashkuar LPK-së më vonë, prandaj nuk mund të thuhet se janë themeluesit e UÇK-së.

Sipas tij, vendimi për UÇK-në merret në prill 1993 në Lucern të Zvicrës, në banesën e Ali Ahmetit, ndërsa si themelues janë Fazli Veliu, Muhamet Kelmendi, Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Azem Syla, Gafur Elshani dhe Rexhë Ibërdemaj.

“Nuk i njoh në atë kohë (Thaçin dhe Veselin). Nuk e di që ishin në themelimin. Nuk kanë pasë funksione. Në strukturën udhëheqëse qendrore nuk ishin. Ata ishin anëtarë, se i ka afrua Ali Ahmeti. Ali Ahmeti me 1996 thotë në Shqipëri se i kam dy shokë të fortë. Ata ishin për ndërlidhje brenda dhe jashtë vendit në shërbim të Azem Sylës, Xhavit Halitit e Ali Ahmetit. Ata kanë raportuar te krerët. Ne edhe kumtesat i kemi aprovua”.

Në Drenicë thotë se në grupet e UÇK-së vepronte Rexhep Selimi; në Dukagjin Selim Kelmendi, Adrian Krasniqi dhe Daut Haradinaj. Ndërsa, në Llap ishte Zahir Pajaziti. Sipas tij, vrasja e Pajazitit duhet të analizohet. Ai madje dyshon se ka mundur të ketë dalë në pritë.

“Ka hapësirë për hetime për të gjitha vrasjet që janë bërë. Mos të mendojmë se nuk kishim njerëz të UDB-së në ilegale. Është e logjikshme. Dyshimet janë se ka pasë diçka”, thotë ai.

Ai ka shtuar gjithashtu se duhet të hetohet patjetër fondi “Vendlindja thërret” për shkak se janë mbledhur mjete të mëdha të të hollave në diasporë dhe se asnjëherë nuk janë dhënë fakte për shpenzimet e këtyre mjeteve për nevoja të luftës.

Ai shton se Adem Demaçi më 1996 nuk ka besuar se ekziston UÇK. Ndërsa, shton se aksioni i parë i UÇK-së financohet nga qeveria në ekzil.

“Armët falas në Shqipëri nuk kemi mundur t’i marrim. Qeveria e Bukoshit na ka ndihmuar dy herë”, thotë ai.

“Armët falas në Shqipëri nuk kemi mundur t’i marrim. Qeveria e Bukoshit na ka ndihmuar dy herë”, thotë ai. “Bukoshi i sjellë në Shqipëri 80 ushtarë. Shkon Ali Ahmeti t’i thotë se ata duhet të futen në luftë në Kosovë. 13 ndahen atëherë nga Bukoshi, që futen në prill 1998. Kemi mbledhë armë me fondin ‘Vendlindja Thërret’ që e kemi themeluar me 1994. Në qershor 1998 tërhiqem nga LPK. Formohet një kryesi për të cilën nuk jap llogari. Atëherë futem në luftë në Kosovë”.

Ai përmend se brenda lëvizjes ka pasë fërkime dhe etje për pushtet, për çka ai eliminohet nga kryesia e LPK-së.

“Ne e akuzojmë njëri-tjetrën për fërkime normale, po jo për tradhti. Në qershor 1999 isha në Tropojë, kur kthehem angazhohem në jetën politike, me UNIKOMB. Tash jam simpatizant i Lëvizjes për Bashkim”. KTV-Telegrafi

0 comments:

Post a Comment

 
Top