Përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Fortesa” kanë zhvilluar takime të ndara me kryetarin e Kamenicës, Begzad Sinani, nënkryetarin Fatmir Matoshi dhe kryesuesin e Kuvendit, Bajram Dërmaku, të cilëve ua ka prezantuar analizën, që ka për qëllim të ndikoj tek organet vendimmarrëse të ndërmarrin veprime drejt përmirësimit të gjendjes në shëndetësi, rritjen e numrit të mjekëve dhe organizimin e mirëfilltë në këtë sektor.

Amir Jakupi, përfaqësues i organizatës, njëherit koordinator i projektit që menaxhohet nga KDI-ja, tha se mungesa e mjekëve nëpër Ambulancat Shëndetësore në fshatra të Kamenicës është shqetësim i vazhdueshëm i banorëve lokalë. “Për një shërbim më elementar, njerëzit duhet të përshkojnë kilometra të tëra. Kjo situatë është e papranueshme, sidomos për të moshuarit tek të cilët problemet shëndetësore janë më të shpeshta”.

Jakupi ka thënë se marrë parasysh numrin e pamjaftueshëm të mjekëve dhe pengesat nga Ministria e Shëndetësisë, si zgjidhje më e mirë e momentit mund të ishte puna me orar të zgjatur në QKMF në Kamenicë dhe QKMF-të në Hogosht e Roganë, për të pasur mundësi të mbulohen zonat pa mjekë.

Kryetari i Kamenicës, Begzad Sinani, mirëpriti idetë dhe alternativat e zgjidhjes së këtij problemi dhe premtoi angazhim konkret për sjelljen e mjekut sa më afër qytetarit. “Shoqëria civile, kam thënë dhe po e përsëris, i ka gjithmonë dyert e hapura në Komunë. Mirëpres çdo ide dhe rekomandim për zgjidhjen e problemeve. Jam i vetëdijshëm për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, por në ditët e ardhshme do të takohem me ministrin e shëndetësisë, të cilit do t’ia paraqes kërkesat për rritjen e numrit të mjekëve dhe një furnizim më të mirë me barna esenciale. Edhe rekomandimet e alternativat e organizatës ‘Fortesa’, do t’i propozoj për diskutim në një nga mbledhjen e Kuvendit Komunal”, theksoi kryetari Sinani.

Edhe nënkryetari Matoshi dhe kryesuesi Dërmaku, e vlerësuan si shumë të rëndësishëm rolin dhe angazhimin e shoqërisë civile për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

0 comments:

Post a Comment

 
Top