Shoqëria civile në Kamenicë shprehet e shqetësuar në lidhje me ecurinë e punës së Kuvendit Komunal të Kamenicës. Amir Jakupi nga OJQ “Fortesa” që në partneritet me KDI-në monitorojnë Kuvendin, i ka bërë thirrje partive politike që ta mbrojnë këtë organ nga degradimi i mëtejshëm.

“Shpeshherë Kuvendi Komunal shndërrohet në teatër, nga diskutimet qesharake dhe ato jashtë rendit të ditës, menaxhimi jo i mirë i seancave, ‘pazari’ gjatë kohës së votimeve. Imazhi i këtij organi po devalvohet dhe një ditë nuk do të mund të vlerësohet më si institucion vendimmarrës”, ka deklaruar Jakupi.

Ai ka kritikuar mënyrën e sjelljes në Kuvend të ‘ri-shikimit të buxhetit për 2014 dhe emërtimin e rrugëve dhe zonave të qarkullimit publik’, të shqyrtuara në dy mbledhjet e fundit të Kuvendit.

“Materiali për rishikimin e buxhetit i është sjellë asambleistëve aty për aty, pa iu dhënë kohë asnjë ditë për shqyrtim. Kjo është një praktikë e keqe që po përsëritet nga viti në vit.

Ndërsa, në seancën e sotme, e cila më shumë I ngjante një cirku, kaloi raporti i Komisionit për emërtimin e rrugëve mes shumë kundërthëniesh e dyshimeve për falsifikime.

Më e papranueshmja për ne si monitorues, ishte mënyra e numërimit të votave, ku qëllimisht u krijua një tollovi për ta kaluar këtë pikë, ku kemi dyshime se më shumë këshilltarë votuan kundër se sa pro kësaj pike”, ka thënë ndër të tjera Amir Jakupi në reagimin e tij në lidhje me vendimet e fundit të Kuvendit të Kamenicës.

0 comments:

Post a Comment

 
Top