Gazmend Mustafa thotë se do të ikë nga Kosova. Bashkë me makineritë për riciklimin e plastikës do të shpërngulet në Maqedoni. Atje do të investojë rreth 4.5 milionë euro.
Shteti maqedonas i ka ofruar një hektar tokë dhe 5 vite lirim nga taksat.
“Këtu nuk po me lënë të punoj”, thotë për Gazetën Fjala, pronari i fabrikës “Beli-Eurofol”, i cili tetë vite më parë nga të ardhurat prej emigranti në Gjermani investoj në vendin e tij të lindjes në Ferizaj.
Por, tani po bëhen gati një vit kur i është bllokuar importi i materialit për riciklim nga Gjermania në Doganën e Kosovës.
“Më kanë dënuar 104 mijë euro se kinse paskam bërë dallavere me numrat tariforë për ta shmangur taksën doganore”, pohon Gazmendi.
Por sipas tij, kodin të cilin po e kërkon dogana nuk është i pranueshëm për këtë institucion pasi Kosova nuk është pjesë e Konventës së Bazellit.
Një gjë të tillë nuk ja kanë kërkuar për tetë vite sa ka importuar, ndërsa vitin e fundit thotë se me qëllim po donë të ja bllokojnë biznesin.
“Ata me siguri kanë marrë para prej dikujt me na shkatërru. Po dyshojnë se i kemi ikur taksës doganore 10 për qind. Materialin e ka vlerësu për reciklim ndërsa po e konsiderojnë si material të gatshëm për treg”, shpreh shqetësimet e tij ky biznesmen.
Por, në Doganën e Kosovës, thonë se rasti i kësaj kompanie është vlerësuar si shmangie nga taksat dhe është duke u ndjekë në procedurë ligjore.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci, ka thënë se përfaqësuesit e kompanisë “Beli-Eurofol”, kanë mashtruar doganën gjatë importit duke përdorur për produktin e importuar kod doganor që e liron nga taksa 10 për qind.
“Ne kemi marrë konfirmim edhe nga Dogana e Gjermanisë për këtë dhe kemi të bëjmë me mashtrim dhe shmangie taksash”, është shprehur Stavileci.
Dogana ka hedhur poshtë edhe kërkesën e fundit të kësaj kompanie për rishqyrtim të vendimit për pezullim të importit.
Në këtë mënyrë Gazmend Mustafa obligohet që në afat prej 12 muajsh ta paguaj borxhin ndaj shtetit.
Megjithatë, ai e ka ndarë mendjen. Me gjithë dëshirën për të investuar në Kosovë, ai thotë se do të largohet.
“Ma i sigurt është me investu në Siri se në Kosovë. Atje rreziku është vetëm nga granatat e këtu si të zgjohesh në mëngjes telashet janë të panumërta”, përfundon ai. /gazetafjala/
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
0 comments:
Post a Comment