Shkruan: Faton Krasniqi
U bënë pak ditë që u ndave nga jeta, sa shpejtë vijmë e ikim nga kjo botë. Por, puna, angazhimi, vepra juaj do të mbetët e paharruar në mendjet tona, i urtë i qetë, i dashur i respektuar nga të gjithë, fjalëpakë e punë shumë.
Nuk u ndale në asnjë kohë, në asnjë çast ishe në ballë të edukimit të rinisë shqiptare, i prive sportistëve dhe organizimeve sportive në Komunë e Kamenicës dhe jo vetëm.
Në mendjet tona do të mbetesh i paharruar, kishim nderin që të patëm profesor, por ju ishit më shumë se aq, i afërt, i dashur e shumë motivues. Për ne ish nxënësit, kolegët, qytetarë kamenicas do të mbetesh sinonim i zhvillimit sportiv në komunën tonë.
Sa e sa organizime sportive bëre në komunën tonë së bashku me kolegët tuaj dhe nxënësit; të gjitha ato gara ishin madhore, nuk do t`i harrojmë lehtë garat në: futboll, basketboll, atletikë, volejboll, hendboll, shah, ping-pong, not, shah, çiklizëm etj. Ishe frymëzues i çdo gjenerate, pedagog i etur për rezultate sportive.
Pedagogu ynë, ne qytetarët e Kamenicë, sportistët, kolegët, nxënësit e tuaj, nuk do të harrojmë frymëzuesin tonë të madhin Rexhë Gashi kur na prije në ballë të protestave për liri dhe pavarësi të vendit tonë, ishe i pari dhe më i urti, rreth teje mblidheshin të gjithë, të ri, të reja, sportistë, nxënës e patriotë, ju mbanit ligjërata kudo në klasë, në fusha sportive, në rrugë kudo që e shihje të arsyeshme, intelektual me shumë virtyte njerëzore, po na mungon baci Rexhë..
Historia e sportit të Kosovës, gjatë viteve të robërisë po përshkohej edhe me një kaptinë tjetër të dhimbshme që ia kushtëzoi pushtuesi serb. Por një ndër figurat më të shquara të sportit, të organizimeve sportive si para dhe pas luftës do të mbetët pedagogu Rexhep Gashi, ai i cili e bëri që në vitet e `90 sporti në komunën tonë të marr frymë.
Kur ju ishit drejtor i shkollës fillore “Fan S. Noli”, në Kamenicë në vitin 1996, po sa more vesh që policia serbe në bashkëpunim me një profesor serb na rrahën në marsin e vitit 1996 në fushën e futbollit të shkollës sonë, erdhe fluturimthi na nxorre nga duart e liga, e besa edhe u kacafyte me ta, me këmishën tënde na fshive gjakun nga fytyrat tona, si pasojë e grushtimeve pa mëshirë të policëve që në atë kohë ne i njihnim me këta emra: Sasha, Arkani, Dejani i Vogël, Dimitria.
Ke lëshuar shumë vend, jetë e shkurtër, por vepra juaj do të mbetët jetëgjatë. Ne nxënësit, kolegët, sportistët, komuna e kemi për nder që një aktivitet tradicional ta organizojmë në respekt të veprës dhe personalitet tuaj, qoftë turne në: futboll, volejboll, hendboll, basketboll, shah, atletikë, ping-pong, çiklizëm, shenjtari, se ishit ju ai që i vutë themelet e këtyre organizimeve sportive.
Prej gjithë atyre organizimeve sportive do ta veçoja garën në vrapim për nder të çlirimit të Kamenicës në vitin 1999, ku kishte pjesëmarrës të grup moshave të ndryshme, dhe ju vrapuat nga fshati Topanicë deri në Kamenicë dhe pas atij vrapimi të gjatë ju nuk o lodhët, po vazhduat garën në ping-pong. Qoftë i paharruar kujtimi për ty, qoftë e paharruara vepra juaj, do të mbetesh simbol i sportit për komunën tonë.
0 comments:
Post a Comment