(Nga Botasot)
Bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Naser Vllasi, komandant “COBRA”, thekson se u bë bujë e madhe rreth çështjes së listave të veteranëve të luftës.
Ai pohon se, njëherë nguteshin që të dinin medoemos se kush figuronte në ato lista e kush jo, e pastaj shumë prej tyre u ndanë të zhgënjyer, e disa edhe të befasuar kur e panë emrin e tyre në këto lista.
“Nga ky fakt, por edhe shumë të tjerë shihet se shteti ynë ende nuk e ka arritur at pjekjen e duhur dhe i nevojitet ende shumë kohë për ti vendosur gjërat në vendin e vet. Populli në rend të parë e pastaj pushtetarët duhet të kuptojnë dhe ta mësojnë njëherë e mirë se çka është e huaja kurrë nuk bëhet e jotja, e as vlerat e të tjerëve askush nuk mund ti përvetësojë”, thotë “Cobra” për gazetën “Bota sot”.
“Do të isha ndier shumë keq sikur ta dija veten që nuk kam qenë pjesëtar i luftës asnjë ditë, ndërsa emri im figuron në listë. Këto çështje janë për keqardhje, sepse kështu po i humb vlera edhe luftës dhe gjithë atyre që dhanë gjithçka për të”, pohon ai.
Sa i përket problemit UÇK, Ministri e Mbrojtjes-FARK, Vllasi mendon se të dy këta krahë kanë shërbyer në favor të atdheut, po i kanë bërë edhe gabimet e tyre.
“Kjo nuk do të thotë se edhe se në radhët e tyre nuk kishte burra të mirë, por kishte edhe të atillë të cilët ashtu si kanë vepruar me ndihmat që bashkatdhetarët tanë i kishin mbledhur për zhvillimin e një lufte të dinjitetshme, po veprojnë edhe tash pas lufte. Nuk është asgjë për tu habitur ngase njerëzit e tillë sikur prej fillimit qëllimin e kishin pasur te pushteti dhe asnjë ditë luftë nuk e kishin zhvilluar për mbrojtjen e atdheut, por për mbrojtjen e interesave të veta. Këto gjëra unë i kam vërejtur menjëherë, ngase kam parë shumë njerëz që edhe pse janë kyç në luftë pas meje, u figuron se ishin pjesëmarrës para meje dhe shumë të tjerëve”, thekson ai.
Komandant “Cobra”, deklaron se, këto ndoshta janë edhe arsyet pse ky vend është mallkuar, sepse të shkelet djersa e atij që ka kontribuar e injorantët e ndryshëm të sillen si të duan me këtë vend është një mizerje e vërtetë.
“Nuk kemi pse habitemi kur shohim grumbuj njerëzish duke ja mësyrë rrugëve të perëndimit në kërkim të një jete më të mire, sepse nuk është puna që ata po vdesin për bukë, por problem qëndron në faktin që këtu po bëhen padrejtësi të jashtëzakonshme që truri i njeriut as nuk mund ti paramendojë. Strukturat tona udhëheqëse duke u frikësuar që duhet ti lëshojnë karriqat, nuk punonin rreth një strategjie të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së qytetarëve, por për interesat e tyre personale. Jo 6 muaj, por edhe 6 vjet do e kishin lënë vendin në kaos vetëm e vetëm ti plotësojnë teket dhe nevojat e tyre”, thotë Vllasi.
Në fund, komandanti pohon se, ata që shkelin dhe e përbuzin gjakun e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta, do Zoti që herdokur ti ndëshkojë drejtësia. Bota sot
0 comments:
Post a Comment