Sot, asambleistë dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë bllokuar hyrjen e ndërmarrjes komunale “Pastrimi”, për ta pamundësuar drejtorin jolegjitim, Feim Salihun, që të vazhdojë uzurpimin e këtij posti dhe mbajtjen peng të kësaj ndërmarrjeje.
I kujtojmë gjithë opinionin se Feim Salihu është shkarkuar nga kjo detyrë me datën 9 janar të këtij viti, nga bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje.
Gjithashtu, edhe Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktvendimin e datës 16 janar 2015, ka vendosur që ish kryeshefi ekzekutiv, Feim Salihu ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme .
Megjithatë, Feim Salihu vazhdon ta injorojë vendimin e bordit dhe vendimin e Gjykatës. Ndaj Feim Salihut, poashtu ekziston kallëzim penal për kërcënim dhe pengim të ushtrimit të detyrës zyrtare, nga kryesuesi i bordit, Bardhyl Noci.
Përkundër të gjitha këtyre argumenteve, Policia vazhdon ta tolerojë Feim Salihun dhe të mos e zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe të bordit të drejtorëve për pezullimin dhe shkarkimin e tij.
Për më tepër, sot policia lëshoi fletëarrest për këshilltarin komunal nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, Ylli Hoxha, për pengim të personit zyrtar, në këtë rast vet Feim Salihut, i cili që nga momenti i shkarkimit të tij nuk ka asnjë të drejtë ta ushtrojë këtë funksion.
Ne i bëjmë thirrje policisë që të mos bëj drejtësi selektive, por të zbatojë vendimin e bordit të drejtorëve dhe të Gjykatës Themelore, detyrë kjo që e ka të caktuar me kushtetutë, e jo të vihet në shërbim interesave partiake të LDK-së.
Feim Salihu nuk është person zyrtar, por është uzurpator, i cili në cilësinë e militantit të kësaj partie, po e mban peng ndërmarrjen rajonale publike “Pastrimi”.
0 comments:
Post a Comment