Ishte i njohur ndër ne argati i lloçit. Ai ishte një punëtor që punonte si mjeshtër për lyerje të ndonjë ahuri lopësh, koteci apo nevojtoreje në fund të oborrit.
E kishte të rezervuar punën më të rëndë. Ftohej të lyente për të mbuluar atë mozaikun e vrazhdë, që krijohej gjatë murimit të blloqeve të kuq, të pjekur shumë e të shtrembëruar për beter dhe blloqeve të mëdhenj e të rënd të betonit. E tërë kjo për një mëditje 10 marka gjermane.
Në fund të ditës, kur e kryente punën, në emër të respektit, por edhe nga ndjenja e dhimbjes për fëmijët që po i rriteshin me shumë mungesa, merrte jo vetëm pagesën sipas marrëveshjes, por edhe disa monedha të metalta, por jo me shumë se 2,5 marka. 25 % më shumë ai merrte pa ia matur as vlerësuar se si e ka bërë punën. Askush nuk e shikonte se sa trash apo sa hollë e ka lyer, si duken këndet dhe as a e ka rrafshuar mirë apo jo.
Nëpërmjet shkollës, shoqëria vendos orientimin e saj drejt së ardhmes. Në këtë proces barrën kryesore e ka mësuesi. Ai gjendet në mes prindërve, që dëshirojnë suksese për fëmijët e tyre dhe institucioneve që kryesisht punojnë pa ndonjë plan.
Edhe nëse kanë një të tillë vjen i përkthyer dhe i papërshtatur fare. Mungesa e vullnetit institucional për të hartuar plane, veprimet pa ndonjë strategji, paaftësia për të vendos standard mbi të cilin do të matej puna dhe suksesi e sfidojnë dëshirën e mësuesit për të jetuar si qytetar me dinjitet . Rritja e pagës 25 % ka bërë vetëm që të numërojnë më shumë.
Disa mund të jetojnë edhe më keq, sepse për atë vlerë kanë hyrë në kredi, pa e llogaritur se edhe çmimet e mallrave rriten. Angazhimi i SBASHK-ut për të kërkuar lëmoshë nëpër depo të materialit ndërtimor, nëpër pompa të benzinës e nëpër ordinance private, ka bërë vetëm ta formësojë në totalin e tij, atë mjeshtrin e viteve të 80-ta. Kështu, prapë po jeton mes jush ai argati i lloçit.
Për atë kohën sa fëmijët kalojnë në shkollë i mësojnë shkronjat, por do t’u mungojë ngrohtësia e prindit për të cilën ka nevojë gjithherë, edhe në klasë.
Fëmijët do të mësojnë të lexojnë, por nuk e di a do të arrijnë të zbulojnë mrekullinë e leximit të librave. Do të mësojnë numrat gjithsesi, por nuk e di a do të mësojnë se 1 euro të fituara, kanë shumë më tepër vlerë se një 2 euro të gjetura. Do të mësojnë edhe të llogarisin, por krahas saj u duhet edhe të kuptojnë se në jetë u duhet edhe besimi, dashuria dhe kurajë.
Do të marrin pjesë në gara shkollore. Normal, është e mundur edhe të fitojnë ndonjëherë, por nuk e di se a do të mësojnë se mund të kenë dështime të ndershme dhe fitore të turpshme. Do të mësojnë për ideologë kombëtarë e të tjerë, por nuk e di se a do të mësojnë të kenë besim në idetë e tyre, kur të tjerët do t’u thonë se janë të gabuara. Do të kryejnë fakultete, magjistratura e doktorata, por nuk e di a do të mësojnë se si ta shesin talentin e tyre tek ofertuesi më i lartë dhe që të mos të pranojnë kurrë për asnjë lloj çmimi të shesin shpirtin e zemrën.
Njerëz të mëdhenj, por edhe kombe që sot i kemi shembull për arritjet e tyre dhe që janë modele për ne, e kanë kuptuar herët rëndësinë e mësuesit. Duke e vlerësuar drejt punën e tij, kanë siguruar të ardhmë e tyre.
0 comments:
Post a Comment