Se Qeveria e Kosovës nuk do të bënte asgjë për 100 ditë e kanë ditur të gjithë njerëzit me koeficient të inteligjencës normal. Por, kjo nuk e amniston kryeministrin Mustafa që të japë llogari para këtij populli. Ai kishte premtuar të punësonte njerëz. Duhet të dalë të tregojë pse nuk i punësoi.
Në bazë të premtimeve elektorale del se për 100 ditë është dashur të punësohen fiks 10,959 qytetarë të këtij vendi. Kjo shifër nxjerret nga premtimet për punësim të 120 mijë vetave nga LDK dhe të 200 mijë vetave nga PDK. Premtimet shkojnë në 320 mijë vende pune, por pasi janë bërë bashkë në një qeveri, atëherë edhe në premtime për të qenë më real duhet nxjerrë një mesatare që del të jetë 160 mijë vende punë për 4 vjet. Kur kjo periudhë pjesëtohet për 100 ditë del tek kjo shifër.
E Isa Mustafa & Hashim Thaçi nuk e krijuan asnjë vend pune. Asnjë të vetëm.
Gjatë këtyre 100 ditëve nuk punuan as në krijimin e ndonjë parakushteve për krijimin e ndonjë vendi pune.
Krejt çka bëri kjo qeveri për 100 ditë shkon në të kundërtën. Jo vetëm që humbën disa qindra vende pune gjatë këtyre muajve, por janë hedhur parakushtet që të humbin mijëra vende tjera gjatë mandatit të plotë qeverisës.
Humbja shkon në mijëra nëse llogaritet edhe ikja e punëtorëve jashtë vendit e cila nuk është rikuperuar fare pasi bizneset mezi s’prisnin që punëtorët t’u ikin.
Humbja do të vazhdojë tutje.
Ekzekutivi i vendit e ka bërë të qartë se do të jetë kursimtar në shpenzime. Kjo automatikisht tkurr ekonominë dhe automatikisht ul numrin e të punësuarve. Vazhdimi i ndërtimit të autostradës Prishtinë- Shkup do të rrisë tutje importet nga Maqedonia. Edhe kjo nënkupton humbje të vendeve të punës, sidomos në bujqësi.
Heqja e taksave doganore me Bashkimin Evropian që pritet të ndodhë së shpejti, nënkupton rritje të importeve. E kjo tutje, tkurrje të vendeve të punës. Edhe bartja e TVSH-së nga kufiri- brenda vendit do të rrisë importet. Edhe kjo në zvogëlim të ekonomisë vendore.
Thjeshtë, kjo qeveri e udhëhequr nga prepotenca e tij, akademiku i vetëm i ekonomisë në këto troje, po bën gjithçka të gabuar. Këto parashenja u dhanë gjatë këtij 100 ditori.
Kosovarët nuk duhet të presin se do të ketë diçka të mirë gjatë 100 ditorëve tjerë. Do të jenë plot 14 të tillë nëse vazhdohet me mandatin e plotë. Dhe ata që nuk po japin llogari për 100 ditorin , nuk do të japin llogari as për mandatin as për asgjë. Ata thjeshtë do të komunikojnë me qytetarët pas 4 vjetësh. Atëherë, kur sërish mbi 60 për qind e tyre do t’ua japin votën…(Gazetafjala)
(Qëndrimet janë personale
0 comments:
Post a Comment