Në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, dje dhe gjatë natës ka pasur kolona të gjata disa kilometërshe kryesisht me shqiptarë që vijnë nga Perëndimi për në Kosovë. Kolonat kanë vazhduar edhe sot në mëngjes  dhe pritjet po zgjasin nga dy orë e gjysmë, njoftojnë mediet serbe.

Shefi serb i policisë kufitare Nenad Banoviq ka thënë se shkaqet për këto vonesa janë se shqiptarët me dokumente të Kosovës në kufi duhet të pajisen me dokumentin hyrës të Serbisë në doganë dhe kjo po zgjat. 

Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes citohen të kenë thënë se kanë pritur me orë të tëra për të kaluar kufirin. Ndërkohë, mediet serbe raportuan për kolonat por thanë se ato janë krijuar pasi shumica e udhëtarëve i janë drejtuar një vendkalimi kufitar e jo edhe të tjerave.

Por nuk është vetëm kufiri Kroaci-Serbi ai ku janë krijuar kolona të gjata pritjeje të mërgimtarëve shqiptarë që duan t’i kalojnë festat e fundvitit në vendlindje.
Kolona të gjata ka edhe në kufirin Kroaci-Mali i Zi ku pritjet e bashkatdhetarëve, për ta kaluar kufirin, zgjasin deri në shtatë orë.

0 comments:

Post a Comment

 
Top