Delegacioni i Komunës i udhëhequr nga nënkryetari Fatmir Matoshi po viziton Republikën e Maqedonisë me ftesë të Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale.

Në kuadër të kësaj vizite sot u zhvilluan takime me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Tahir Hani, me kryetaren e Tetovës Teuta Arifi dhe me drejtuesit e dy universiteteve në Tetovë.

Në takim me ministrin Hani, nënkryetari Matoshi u interesua për projektet e Komponentës së dytë të Fondit IPA, në të cilat kanë aplikuar në partneritet disa komuna Kosovare dhe ato të Maqedonisë. Po ashtu në takim një prezantim për funksionimin e pushtetit lokal në Kosovë u bë nga Drejtori i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale Besnik Tahiri, pas të cilit u shkëmbyen ide dhe mendime për funksionimin më të mirë të qeverisjes lokale si në Kosovë edhe në Maqedoni.

 Delegacioni u prit edhe nga kryetarja e Tetovës Teuta Arifi e cila foli për përvojat e saj si kryetare komune dhe sfidat me të cilat ballafaqohet.



Shembulli i mirë i kryetares Arifi u mirëprit pasi që ajo ka shkurtuar deri në katër herë shpenzimet komunale për të krijuar mundësi më të mëdha për investime në infrastrukturë.

Në takim u fol për modelet e funksionimit të këshillave lokale si në Kosovë edhe në Maqedoni dhe shembujt më të mirë u përmendën ato amerikane dhe franceze.

Delegacioni zhvilloj vizita edhe në dy universitete, në atë shtetëror të Tetovës dhe në Universitetin e Evropës Juglindore ku u prit nga drejtuesit e këtyre institucioneve.

Përveç Nënkryetarit Fatmir Matoshi në këtë vizitë së bashku me përfaqësues të gjashtë komunave të Kosovës po marrin pjesë vijuesit e Akademisë për Qeverisje Lokale, Valon Maliqi, drejtor i Administratës së Përgjithshme, Venera Dërmaku – Rexha, drejtoreshë e Kulturës, Valdete Sopi, shefe e Protokollit dhe Faton Biqku, zëdhënës i Komunës së Kamenicës.

Akademia për Qeverisje Lokale është program i IQLK-së dhe udhëhiqet nga Besnik Tahiri, Drejtor Ekzekutiv./rajonipress/

0 comments:

Post a Comment

 
Top