Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Kamenicë dhe grupi i delegatëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, reagojnë ndaj vendimit të Kuvendit Komunal të Kamenicës në mbledhjen e datës 27 qershor 2014 lidhur me ndërmarrjen publike Komunale për menaxhimin e mbeturinave.
Në këtë pikë kryetari i Komunës Begzad Sinani i propozoi Kuvendit Komunal shfuqizimin e vendimeve të mëhershme të Kuvendit Komunal të Kamenicës që kishin të bënin me ndarjen e njësisë Komunale të ish “Higjiena” nga ndërmarrja regjionale Higjiena.
Këto vendime ishin marrë nga legjislatura e kaluar pasi që Komuna e Gjilanit përmes zyrës së prokurimit të Komunës së Gjilanit kishte privatizuar ndërmarrjen rajonale “Higjiena”pa pyetur edhe Komunën tonë, dhe ishte e papranueshme që njësia e Kamenicës të hynte në këtë privatizim. Ky veprim ishte i paligjshëm kur dihet se Komunat ushtrojnë kompetencat në territorin e vet.
Në propozim- vendimin e Kryetarit thuhet “të merret vendim për ribashkimin e Njësisë “Higjiena” në Kamenicë me Kompaninë Regjionale “Eko-Higjena”, duke u arsyetuar se ka kosto të lartë për subvencionimin dhe mbështetjen financiare thuhet në reagimin e LDK-së.
Dega e LDK-së konsideron se ky veprim është i dëmshëm për qytetarët e Komunës sonë, është kundër ligjor për faktin se Kuvendi me propozimin e Kryetarit pa asnjë procedurë ligjore ia fal kompanisë private “Eko-Higjena” njësinë në Kamenicë e cila nuk ishte hyrë në proces të privatizimit.
Shtrohet pyetja se çka do të përfiton Komuna jonë kur ia japim pa asnjë kusht ndërmarrjen tonë një Kompanie private me një propozim vendim të kryetarit, me arsyen se nuk mundemi ta mbajmë financiarisht këtë kompani, kur dihet se “Eko Higjiena” nuk është donator, por është kompani fitimprurëse.
Delegatët e LDK-së në këtë mbledhje të Kuvendit Komunal e kanë kundërshtuar këtë veprim së bashku edhe me disa delegat të tjerë nga opozita, dhe po ashtu do të vazhdoj ta kundërshtoj duke e vlerësuar si veprim kundërligjor dhe të dëmshëm për Komunën tonë.
Kjo qeverisje arsyetohet se nuk mundet ta subvencionoj ndërmarrjen Komunale për menaxhimin e mbeturinave a në anën tjetër punëson përditë punëtor me kontratë në vepër, blen tri vetura 50 mijë euro e shumë shpenzime të paarsyeshme thuhet në reagimin e degës së LDK-së në Kamenicë./rajonipress/
0 comments:
Post a Comment