Behxhet Osmani, ushtrues i detyrës së drejtorit në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë se brenda dite, në këtë institut trajtohen 100 deri 300 pacientë me kancer, shumica nga ta diagnostikuar në fazën e vonshme të sëmundjes.

Të shumtë ishin pacientët dhe familjarët e tyre të cilët prisnin për trajtim me kimioterapi në Institutin Onkologjik të QKUK-së në Prishtinë.

Shumë nga ta me shpresa se e ardhmja do të jetë e ndritshme, ndërsa kishte të atillë që besonin se shpresat për jetë për ta kishin përfunduar.

“Vitin e kaluar i ka krye 6-të cikle, mbas këtyre e ka pasur një pauzë prej një muaji, i ka kryer edhe dhjetë seanca rrezatime dhe tani është me morfium”, thotë një familjar.

“Kemi ardhur për kimioterapi. Na thanë duhet me e marrë në shtëpi terapinë. Këtu na pritën mirë... e tash po shpresojmë”, thotë një i dytë.

Dr. Behxhet Osmani, ushtrues i detyrës së drejtorit në Institutin Onkologjik, thotë se rastet e shumta paraqiten në fazën e vonshme të sëmundjes, pastaj është problem shërimi i tyre.

Sipas tij, kur sëmundja përparon edhe në organet e tjera-atëherë pothuajse është e kotë për të shpresuar.

“Për fat të keq, një numër bukur i madh i pacientëve diagnostikohen vonë. Nëse diagnostikohet në stadin e parë, të dytin-eventualisht në të tretin-mund të bëhet intervenimi kirurgjik, dhe trajtimi është shumë më efikas. Ndërsa, me përhapjen e sëmundjes më organet tjera-edhe prognoza është shumë më e keqe; nuk mund t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik dhe trajtimi bëhet vetëm me barna, kimioterapi edhe radioterapi”, thotë dr. Osmani. /rtk/

0 comments:

Post a Comment

 
Top