Organizata Joqeveritare “Fortesa”, përmes një reagimi për zhvillimet e fundit në komunën e Kamenicës, ka theksuar se mosmbajtja e premtimeve elektorale, puna joefikase e Administratës, shpallja e konkurseve sa për përmbushur obligimet ligjore, kurdisja e tenderëve, gjendja katastrofale e rrugëve, Kuvendi kukull dhe pseudo-opozita, kanë bërë që qytetarët e Kamenicës, të ndihen thellë të zhgënjyer, të brengosur e të pakënaqur.

“Në 15 muaj qeverisje, qytetarët nuk kanë arritur të vërejnë ndryshime. Në nëntorin dhe dhjetorin e vitit 2013, votat e qytetarëve shkuan për të pritur diçka më mirë, por deri më tash nuk është dhënë asnjë dëshmi, që gjërat janë duke lëvizur në drejtimin e duhur”, ka thënë Amir Jakupi, përfaqësues i kësaj organizate.

Ai është shprehur se qeverisja aktuale ka dështuar me Administratën, nuk ka arritur të bëjë reformat e premtuara. “Disiplina dhe serioziteti në punë kanë rënë. Edhe përkundër vullnetit të shefit të ri të personelit, nuk mund të jepen vlerësime pozitive për efikasitetin e Administratës. Një numër i madh i punonjësve bredhin rrugëve dhe nëpër kafiteri gjatë orarit të punës, të tjerë nuk i japin llogari askujt dhe konsiderojnë se i kanë me tapi pozita, dhe shumë të tjerë nuk dinë në fund të muajit t’i shkruajnë dhjetë rreshta për punën e bërë”.

Sipas Jakupit, ajo që së fundi po ë dëmton imazhin e komunës dhe po i bënë institucionet komunale joserioze është gjuha e pakuptueshme me të cilën zyrtarët komunalë po komunikojnë me qytetarët. “Edhe mediat kanë raportuar për këtë skandal. Shqipja e varfër dhe e pakuptueshme e shumë zyrtarëve po e krijon përshtypjen se në këtë Komunë ka probleme me shkrim-lexim. Duhet të kihet kujdes që në dokumente që janë të qasshme për median dhe publikun të mos lejohen të tilla gabime trashanike”.

Amir Jakupi ka bërë vërejtje edhe për gjendjen e rrugëve lokale dhe për partitë në opozitë, që sipas tij, nuk u kanë mbetur shumë elemente opozitarizmi.
“Gjendja e rrugëve pas reshjeve të fundit dhe hedhjes së kripës është katastrofale. Rrugë të dëmtuara dhe gropa që të ‘përpijnë’ mund të gjesh kudo në rrugët e mundimshme të komunës së Kamenicës. Ankesat e njerëzve janë të përditshme, por deri më tash nuk është marrë asnjë masë për sanimin e tyre”, ka thënë Jakupi.

Përfaqësuesi i Fortesës, organizatë e cila monitoron punën e ekzekutivit dhe legjislativit të Kamenicës, ka theksuar se opozita ka dështuar në misionin për të qenë kujdestare e respektimit të ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesave të qytetarëve. “Nuk mbahet mend një reagim i mirëfilltë i opozitës për gjërat e këqija që po i ndodhin kësaj komune, pos atëherë kur preken interesat personale. Nuk ka një opozitë të bashkuar dhe një opozitë që ofron propozime e ide për zgjidhjen e problemeve”.

Jakupi i ka bërë thirrje qeverisjes komunale t’i merr seriozisht vërejtjet e shoqërisë civile dhe të mos sulmojë paraardhësit dhe zërat kritikë, për të justifikuar mosmbajtjen e premtimeve

0 comments:

Post a Comment

 
Top