Arif Maloku, bashkëluftëtari i Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, tregon pothuajse gjithë historinë e luftës së UÇK-së në zonën ku ai ishte pjesëmarrës në luftë.

Luftëtari i UÇK-së, rrëfimin e tij e nis duke treguar për vitet e ‘90-ta, kur Kosova ishte e okupuar nga Serbia dhe ushtrimi i dhunës brutale, gjithashtu persekutimet që i kryente Serbia ndaj popullit shqiptar, thotë se nuk i mbeti rrugë tjetër pos çlirimit të vendit me luftë.

“Me fillimin e formimit të UÇK-së, edhe pse isha në moshë të re, vendosa që ti bashkangjitem grupeve të armatosura të UÇK-së, ku në fshatin Gjocaj me bashkëfshataret e mi filluam që të mobilizohemi dhe të armatosemi me qëllim që ta mbrojmë vendin tonë, me një rezistencë të armatosur”, thotë ai.

Maloku shprehet se i tërë ky organizim ka filluar gjatë muajit prill ‘98, pas rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jasharit në Prekaz.

U rreshtuam përkrah ushtarakëve

“Ne ishim të organizuar për mbrojtjen e fshatit Gjocaj, ku më pas me futjen e Brigadave të para të Ministrisë së Mbrojtjes gjatë muajit qershor ‘98 në Jasiq ka arritur Brigada 131, një pjesë e tyre janë pozicionua në Jasiq me të kuptuar se në mesin e tyre gjinden dhe epror ushtarak të profesionit. Ne kemi marr vendim që ti bashkangjitemi dhe ti njohim për Komandant Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin me shokë”, shprehet luftëtari.

Takimi i parë i zhvilluar i tyre me Agimi Ramadanin dhe me Rrustem Berishën ishte në fshatin Jasiq. Sipas tij, ai ishte një takim sa vëllazëror aq edhe i hapur ku janë prezantuar me emër dhe mbiemër të gjithë luftëtarët, si dhe nga vijnë dhe kanë prezantuar qëllimin e tyre të përbashkët.

“Me prezantimin e planit operativ për zhvillimin e një lufte të mirëfilltë për ti dalë në ndihmë popullit tonë për çlirimin e atdheut, është vërejtur një dakordim dhe një gatishmëri në mesin tonë. Agimi ishte i gatshëm, kushdo që të jetë udhëheqës-komandant vetëm se të shkojnë punët si duhet, mirëpo duke pas parasysh se Agimi dhe Rrustemi ishin njerëz të profesionit ushtarak ne u dakorduam që të sistemohemi nën komandën e Rrustem Berishës”, tregon ai.

Ai thotë se, ditët e para Agimi me shokët i kanë udhëzuar për hapat që duhet ndërmarr për mbrojtjen e fshatrave Gjocaj dhe Jasiq si dhe kanë kërkuar nga ta që ta formojmë njësitin “KOBRA” me qëllim të vëzhgimit të terrenit duke përfshirë edhe brezin kufitar. Sipas tij, vëzhgimet kishin për qëllim grumbullimin e informacioneve të përditshme të lëvizjes së ushtrisë serbe si dhe organizimin, sigurimin e korridorit për hyrjen e njësive apo grupeve të UÇK-së nga territori shqiptar në brendi të Kosovës dhe anasjelltas.

Sulme të befasishme ndaj forcave serbe

“Njësiti “KOBRA”, kemi marr pjesë në shumë aksione sulmuese ndaj forcave serbe gjatë muajit qershor- korrik 98 nën udhëheqjen e Agim Ramadanit, ku kemi vrarë dhjetëra ushtarë serb dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur, kurse nga ana jonë kanë rënë 3 dëshmor dhe dy të tjerë mbetën të plagosur së bashku me mua. Edhe pse isha i plagosur nga granata e dorës serbe në krahun e majtë dhe pjesën e qafës, posa kam marr ndihmën e parë kam vazhduar luftimet me shokë”, shprehet ai.

Ai thotë se para luftimeve në Zharrë tek ne në Gjocaj ka arritur me njësitin e vet Bedri Shala si përforcim. “Me ne kanë mbetur një skuadër ku vet ka shkuar në Junik pasi që kishte shenja se serbët po përgatiteshin ta sulmojnë Junikun dhe fshatrat ku gjendeshim ne, çka dhe ndodhi ashtu. U sulmuan fshati Junik dhe luftimet zgjatën më shumë se një javë, ku dhe njësiti jonë ka marrë pjesë në ato luftime të fuqishme, për fat të mirë që me një organizim, disiplinë, komandim të mirëfilltë kemi arritur që ti përballojmë luftimet dhe popullatën civile ta evakuojmë nga fshati. Gjatë këtyre luftimeve kemi kuptuar se ka rënë dëshmor edhe Bekim Berisha- “ABEJA”. Po ashtu vlen të ceki se në spitalin ushtarak në Gacaferr derisa isha për trajtimin e plagës kanë sjell të plagosur edhe Bedri Shalën për trajtim”, rrëfen ngjarjet e gati 17 viteve më parë, me emocione sikur të kishin ndodhur një ditë më parë.

Maloku thotë se meqenëse ushtria barbare serbe për shkak të humbjes së ushtareve dhe të plagosurve gjatë luftimeve në Junik pritej që të hakmerrej ndaj popullatës shqiptare, ku në mesin e popullatës ka pasur shumë të plagosur, nga komanda e tyre është kërkuar që ti dalin ndihmë të plagosurve, duke përfshirë edhe popullatën e rrezikuar, me qëllim të sigurimit të një korridori për të dalë në territorin e Shqipërisë. “Me ditë të tëra dhe netë, pa hezituar fare i kemi dal në ndihmë dhe strehuar në shtetin amë në Shqipëri”, thotë ai.

“Për ne ishte me rëndësi që lufta të vazhdonte deri në çlirimin e çdo pëllëmbe të Kosovës me sa me pak gjak të derdhur e në fakt armikut ti shkaktojmë humbje sa më të mëdha si në ushtar po ashtu në teknologji”, rrëfen ai.

Si ujku në mesin e deleve

Por, plagët e marra gjatë luftimeve kërkonin mjekim të mëtejmë. “Me të dalë në territorin e Shqipërisë, prapë me lejen e Agim Ramadanit kam vazhduar me një trajtim mjekësor, ku më pas sipas kërkesës të Agim Ramadanit jam paraqit në njësinë “COBRAT”, gjatë kohës së realizimit të vëzhgimeve”, thotë ai duke sqaruar se ishte ftuar nga vet Agim Ramadani në telefon, që të paraqitej në Repartin ushtarak në Babin, ku është paraqitur menjëherë, derisa ishte në mesin e disa komandantëve dhe ushtarëve, që shprehnin dëshirën të sistemohej në njësitë e tyre. “Por, unë prisja të arrinte Agimi dhe të merrja detyrën nga ai. Me të arritur Agimi më drejtohet “Ti që ke hy si ujku në mesin e deleve a e din ku e ki vendin, dua me të pa sa më shpejt lart”, kështu më tha Agimi”, vazhdon rrëfimin veterani Maloku.

Po atë natë ai ishte nisur së bashku me një grup ushtarësh, në këmbë për në Qendrën Stërvitore në Papaj, ku kishin arritur rreth orës 23:00. “Në Papaj kam kaluar një natë, të nesërmen në mëngjes më ka ftuar Agimi në zyre. Nga unë ka dashtë opinionin rreth terrenit dhe një prezantim në hartën topografike, pasi që isha shumë i njoftuar me terrenin, ku pritej të thyhej kufiri. Ditën e kem kaluar së bashku, dhe në mbrëmje kanë arritur Albert Kuqi dhe Demush Gacaferri për të më marrë dhe jemi nise menjëherë për në Padesh, në Padesh kam kuptuar se komandant i “COBRAVE” është Naser Vllasi, ku kam qenë i mirëpritur, pasi që Agimi paraprakisht e kishte njoftuar Naserin për mua. Menjëherë të nesërmen i kem marr detyrat për vëzhgimin e terrenit ku njëkohësisht vetë fakti me vëzhgimet që i bënim përpilohej dhe kompletohej plani operativ për thyerjen e kufirit, vëzhgimet kanë vazhduar në mënyrë sistematike pandërprerë, pa u hetuar nga armiku po ashtu duke ruajtur sekretin për punën që bënim”, rrëfen ai.

Prisnim kur do të vinte urdhri për thyerjen e kufirit

Ai flet me krenari se si pjesëtarë i këtij njësiti, kishin më shumë informacione. “Ne “COBRAT” gjithherë ishim një hapë përpara, për vet faktin se ne me komandantin e ri Naserin na u kish besuar realizimi i vëzhgimeve. Me 8 prill më kujtohet se nga komandanti Agim Ramadani është kërkuar, që të shkoj Komandant Naseri në bazën komanduese në Padesh, ku me tu kthyer nga Agimi në bazën e “COBRAVE”, po ashtu në Padesh, gjegjësisht në shtëpinë e Sadikut, Komandant Naseri ka kërkuar prej neve që të përgatitemi për një vëzhgim, por kësaj radhe ka kërkuar nga ne që të përgatitemi sikurse të hyjmë në sulm, se duhej të pajiseshim mirë me armatimin e duhur, municion të mjaftueshëm, granata dore, po ashtu ushqim së paku për 24 orë. Menjëherë kemi filluar me përgatitjen. Po atë natë si çdo natë tjetër që bënim roje, për sigurinë tonë, isha sipas orarit 2 orë roje, mirëpo Naseri ka insistuar që të bëjmë pushimin e natës, mirëpo tek ne ishte një parandjenjë që nuk kishim gjumë, por prisnim kur do të vijë urdhri për thyerjen e kufirit”... (Vijon në Botasot)

0 comments:

Post a Comment

 
Top