1. Po na shkatërron gjumin
Studimet kanë treguar se drita ku mbizotëron e kaltra, që emetohet prej pajisjeve si smartphone, tabletë dhe laptopë, mund të pengojë lëshimin e melatoninës nga trupi ynë gjatë natës.

Melatonina është një hormon i rëndësishëm që ndihmon për të rregulluar orën e trupit, duke i “treguar” atij se kur është natë dhe kur duhet të ndihet i përgjumur.
Drita e kaltër e ndërpret këtë proces dhe kjo e bën të pamundur që t’i përmbahemi një programi të përshtatshëm gjumi. Humbja e gjumit ka një sërë efektesh negative për trurin.
Nëse nuk bën shtatë apo më shumë orë gjumë gjatë natës, atëherë do të vuash nga gjendje shpirtërore gjithnjë e më të zymta, rënie të fokusit në punë dhe probleme me kujtesën, për të mos përmendur një humbje të indeve të trurit. Të gjithë kjo nuk të bëjnë njeri të këndshëm për t’u shoqëruar.

2. Shpërqendrohesh lehtësisht
Nuk ka nevojë për shkencën për ta ditur këtë gjë, por teknologjia e bën shumë më të kollajtë shpërqendrimin, qoftë kur bëhet fjalë për largim nga një projekt i rëndësishëm për të kontrolluar telefonin, qoftë kur kalon nga një tabelë e lundruesit në internet në tjetrën, pa u fokusuar në fakt tek asnjëra.
Është vërtetuar se kryerja e detyrave të shumta njëkohësisht nuk funksionon - në fakt përfundon duke i bërë të gjitha shkel e shko. Sidomos adoleshentët janë më të shpërqendruar se kurrë.
Një studim i vitit 2012 i Pew Research Center, ku u vëzhguan më shumë se 2400 mësues, zbuloi se shumica e tyre mendonin që nxënësit janë më të shpërqendruar se sa brezat e mëparshëm. 87 për qind e mësuesve ranë dakord me pohimin se “teknologjitë e sotme digjitale po krijojnë një brez që shpërqendrohet lehtësisht, me segmente shumë të vegjël të përqendrimit”, ndërkohë që 64 për qind ranë dakord me pohimin se “teknologjitë e sotme digjitale më shumë i shpërqendrojnë nxënësit, se sa i ndihmojnë nga pikëpamja akademike”.

3. Nuk mban mend shumë
Tendenca e teknologjisë për të të shkëputur nga gjithçka tjetër që mund të jesh, duke bërë më të vështirë formimin e kujtimeve të reja. Siç e shpjegon Nicholas Carr, kujtesa vjen në dy lloje: kujtesa rastësore e punës dhe kujtesa afatgjatë. Informacioni duhet të kalojë nga kujtesa e punës në kujtesën afatgjatë, me qëllim që të depozitohet. Çdo ndërprerje në proceset e kujtesë së punës - si për shembull të ndalesh për të kontrolluar postën elektronike apo të dërgosh një SMS në mes të leximit të një artikulli - mund të fshijë informacionin në mendjen tënde, përpara se të ndodhë transmetimi.
Po kështu, ka një limit në sasinë e informacionit që kujtesa e punës mund të marrë njëkohësisht. Përthithja e një sasie të madhe informacioni - qëkur je në internet ndodh shpesh - është njësoj si “të hedh ujë në një gotë gjatë gjithë ditës”, thotë eksperti i produktivitetit, Tony Schwartz.

4. …kështu që ti ia beson internetit kujtesën e gjërave për ty
Dikur njerëzit ishin në gjendje të përthithnin sasi të mëdha dije, si recitimi i romaneve të tëra fjalë për fjalë, por teknologjia ka eliminuar edhe nevojën, edhe nxitjen për ta bërë këtë. Studimet kanë treguar se kur ti e di që Google apo celulari yt mund të mbajë atë copë informacioni për ty, atëherë je më pak i prirë ta depozitosh në kujtesë.
Vitin që kaloi, revista Scientific American e krahasoi internetin me një “hard disk” të jashtëm për trurin tonë, pasi ne e kalojmë një sasi gjithnjë e më të madhe informacioni në internet. “Kjo nuk është gjëja më e keqe në botë”, shton Scientific American. Ne gjithmonë ia kemi besuar një pjesë të këtij informacioni “hard disk”-ëve të jashtëm të llojeve të ndryshëm, duke ua besuar për shembull miqve dhe jo teknologjisë plotësimin e boshllëqeve të dijeve tona. Por, sot po transferojmë shumë më tepër.

5. Harron shumë më tepër se më parë
Në fakt, ata që kanë lindur pas vitit 2000 janë më të prirë të harrojnë se çfarë dite është apo ku i kanë vënë çelësat, se sa ata që janë mbi 55 vjep, sipas një vëzhgimi të vitit 2013 të kryer nga Trending Machine. Në një deklaratë shtypi pas përfundimit të studimit, terapistja familjare Patricia Gutentag e quajti teknologjinë një prej fajtorëve kryesorë. “Kjo është një popullsi që është rritur duke bërë shumë gjëra njëherësh, duke përdorur teknologjinë, shpeshherë shoqëruar me mungesë gjumi. Të gjithë këto shkaktojnë rritje të nivelit të harrimit”, tha ajo.

6. Nuk përqendrohesh dot në atë që po lexon
Edhe nëse ke shmangur të gjithë shpërqendrimet e mundshme, sërish nuk përthith dot informacionin që lexon në internet, njësoj si do ta bëje duke lexuar një libër. Dhe, për këtë nuk mund t’ia vësh fajin tekstit apo germës. Ata linkat e vegjël që i gjen kudo nëpër artikujt e internetit, e bëjnë trurin tënd të punojë më shumë, duke i lënë kështu më pak fuqi mendore procesit që je duke lexuar. Edhe po të lexosh në ekrane - si një laptop apo iPad, ka apo nuk ka linke - është vërtetuar se bie aftësia thithëse e asaj që lexon.

7. Nuk gjen dot rrugën pa GPS
Njerëzit që mbështeten tek GPS-i për të lëvizur, kanë më pak aktivitet në hipokamp, një zonë e trurit që lidhet me kujtesën dhe navigimin, sipas një serie studimesh të paraqitur në 2010. Përdorimi i kujtesës hapësinore - që përfshin përdorimin e të dhënave pamore për të zhvilluar “harta konjitive” që kujtojnë rrugët - në vend të autopilotit me GPS të makinës, mund të ndihmojë për të parandaluar probleme me kujtesën më vonë gjatë jetës, sipas studimit.
Një studim i vitit 2008 i Universitetit të Londrës zbuloi se shoferët e taksive kishin hipokampë më të zhvilluar se sa të tjerët, ndoshta sepse janë kaq të mësuar duke lëvizur në qytete duke përdorur kujtesën hapësinore, në vend që të mbështeteshin tek GPS.

8. Ke trurin e një drogaxhiu
Varësia nga interneti nuk është thjeshtë një term kot që prindërit përdorin për të tmerruar të rinjtë që kalojnë shumë kohë duke luajtur me Candy Crush. Shpenzimi i një pjese të madhe të kohës në internet mund të shkaktojë ndryshime në tru që janë të ngjashëm me ata të varësisë nga droga apo alkooli, sipas një studimi të vitit 2012.
Të varurit nga interneti - sidomos të rinjtë që luajnë e që për shkak të kësaj refuzojnë ushqimin, shkollën dhe gjumin për ditë të tëra - kanë materie jonormale gri dhe të zezë në tru, që pengon ato rajone të trurit të përfshirë në përpunimin e emocioneve dhe rregullimin e vëmendjes dhe vendim-marrjes. Alkoolistët dhe të varurit nga droga kanë anomali të ngjashme në tru, sipas studimit.
“Kam parë njerëz që kanë ndërprerë marrjen e leksioneve në universitete, kanë ngelur në klasë apo kanë prishur martesat, për shkak të varësisë nga interneti”, thotë Dr. Henriette Jones, e cila ka një klinikë për kurimin e varësisë nga interneti.
Tani që jeni tamam të tmerruar nga efektet e teknologjisë, thjeshtë shkëputini për pak kohë. /bota.al/

0 comments:

Post a Comment

 
Top